Plagosja e pakistanezit në Greqi, kush janë 2 shqiptarët e arrestuar
Një ngjarje e rëndë me elementë të fortë kriminalë ka tronditur Athinën, ku tre persona, mes tyre dy shqiptarë, janë arrestuar pas një plagosjeje me armë dhe një ndjekjeje spektakolare që përfundoi me aksident.
Të arrestuarit janë Jerasimo Korkuti, 31 vjeç nga fshati Gjashtë i Sarandës, dhe Andi Beqiri, 27 vjeç nga Konispoli, si dhe një shtetas grek 30-vjeçar me precedentë të rëndë penalë, i cili dyshohet si autori kryesor i plagosjes së një pakistanezi në biznesin e tij në zonën e Patisias.
Sipas policisë greke, autori hyri në dyqan i maskuar, i shoqëruar nga një prej shqiptarëve, dhe hapi zjarr ndaj pronarit. Dyshohet se ngjarja lidhet me larje hesapesh mes grupeve kriminale.
Pas sulmit, autorët tentuan të largoheshin me një automjet tip BMW, por gjatë ndjekjes nga policia u përplasën me disa mjete të tjera, duke shkaktuar kaos në rrugët e Athinës, deri në momentin që u neutralizuan dhe u vunë në pranga.
Një person i katërt, gjithashtu i dyshuar si shqiptar, arriti të arratiset dhe është shpallur në kërkim.
Emri i Andi Beqirit nuk është i panjohur për autoritetet greke. Në vitin 2022 ai ishte arrestuar në Athinë, pasi në automjetin ku udhëtonte u gjetën dy armë kallashnikov me municion luftarak. Në atë rast u arrestua edhe një tjetër person i kërkuar për vrasje dhe tentativa vrasjeje, ndërsa hetimet zbuluan lidhje me një rrjet kriminal të drejtuar nga një shqiptar i dënuar në Greqi.
Sa i përket ngjarjes së fundit, hetuesit dyshojnë se plagosja e pakistanezit është pjesë e një përplasjeje të dhunshme mes grupeve kriminale, ku i përfshirë është edhe shtetasi grek i arrestuar, i njohur për precedentë të mëparshëm në vrasje dhe plagosje.
Ngjarja ka rikthyer në vëmendje aktivitetin e grupeve kriminale në Athinë dhe përfshirjen e shtetasve të ndryshëm në akte të dhunshme, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



