Publikohet fotoja e 45-vjeçares shqiptare të vrarë në Athinë
E ëma mes lotëve: Nuk e dija për lidhjen
Detaje të reja janë bërë publike për vrasjen e 45-vjeçares shqiptare, Julieta Obzova, në Nea Smyrni të Athinës. Gruaja u qëllua për vdekje nga partneri i saj, një 48-vjeçar shqiptar, ndërsa mediat greke kanë publikuar edhe fotografinë e viktimës.
Nëna e 45-vjeçares ka rrëfyer mes lotësh se nuk kishte dijeni për marrëdhënien sentimentale që vajza e saj kishte krijuar me 48-vjeçarin. Ajo ka mësuar për ngjarjen tragjike vetëm pak kohë pasi ndodhi, kur është telefonuar nga vajza tjetër e saj, e cila i ka dhënë lajmin e rëndë.
E tronditur nga ajo që kishte ndodhur, nëna ka deklaruar para gazetarëve se Julieta nuk i kishte treguar asgjë për lidhjen e saj të re. Sipas saj, e bija ishte ndarë prej shumë kohësh nga ish-bashkëshorti dhe nuk kishte folur me familjen për marrëdhënien me 48-vjeçarin.
“Nuk di asgjë. Nuk më kishte thënë asgjë. Tani mësova për vajzën time. Më telefonoi vajza tjetër dhe ma tha pak më parë. Nuk më kishte folur për lidhjen e saj. Me ish-bashkëshortin ishte ndarë prej shumë kohësh”, është shprehur nëna e 45-vjeçares.
Ngjarja e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në Greqi, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat dhe motivin e vrasjes së 45-vjeçares në zonën e Nea Smyrnit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



