E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Plas keq në PS, Braçe nuk lejohet në takimin e Ramës në Asamblenë e PS të njësisë nr. 7
Lajme

Plas keq në PS, Braçe nuk lejohet në takimin e Ramës në Asamblenë e PS të njësisë nr. 7

Deputeti i PS, Erion Braçe, ka intensifikuar lëvizjet e tij politike në funksion të ambicies për të kandiduar në krye të Bashkisë së Tiranës, duke zhvilluar takime në strukturat e partisë në kryeqytet.

Paralelisht, edhe kryeministri Edi Rama ka nisur një tur takimesh me Asambletë socialiste në Tiranë. Por gjatë një prej këtyre mbledhjeve është shënuar një incident që ka tërhequr vëmendje.

Mësohet se në mbledhjen e zhvilluar në njësinë nr. 7, e cila ishte njoftuar të niste në orën 18:00, Rama ka mbërritur më herët për shkak të angazhimeve të tij, duke bërë që takimi të nisë para orarit të planifikuar.

Në momentin kur Braçe ka mbërritur sipas orarit të njoftuar, ai nuk është lejuar të hyjë në sallë nga Garda e Republikës së Shqipërisë, me arsyetimin se mbledhja kishte nisur.

Ky është rasti i dytë brenda pak ditësh ku Garda përfshihet në situata të tilla, të cilat po komentohen si tensione të brendshme në radhët e socialistëve. Një incident i ngjashëm u raportua edhe në Kuvend, ku deputetja Elisa Spiropali u bllokua nga hyrja e pasme teksa tentonte të shmangte mediat.

Ndërkohë, vetë Braçe ka reaguar në emisionin “Top Story”, duke sqaruar edhe mungesën e tij në disa takime të fundit ku kryeministri është shfaqur krah ministres Ogerta Manastirliu.

“Jo, kjo është një mbledhje normale. Unë në këtë njësi nuk kam qenë, sepse e kisha të pamundur të shkoja në Kashar, pasi isha në një mbledhje tjetër. Isha në Asamble, ku ishte zonja Manastirliu, dhe në orën 7 ishte mbledhja në Kashar, ndaj e kisha të pamundur të isha. Por isha në Asamble dhe unë zakonisht ulem në fund të sallës për të parë sesi është perceptimi i njerëzve dhe si e përjetojnë ata. Rama nuk ka bërë asnjë reagim, përveç diçkaje që është për mua… Unë nuk kam dalë me një njoftim: “Kërkohet Erion Braçe si kandidat për Tiranën”, por kam kërkuar një proces statutor brenda partisë, ndryshe nga ai i shtatorit të vitit të kaluar, që ishte vetëm një njoftim.. Unë nuk përfaqësoj një kandidat me një njoftim. Unë dua një kandidat, edhe ndryshe nga unë, që krijon një kohezion me njerëzit”, deklaroi Braçe.

Ai shtoi se deri më tani nuk ka pasur një komunikim të drejtpërdrejtë nga Rama lidhur me këtë ambicie politike.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.