Plas në PS! Kryebashkiakja socialiste e Dimalit kundër shkrirjes
Kryetarja e Bashkisë Dimal, Juliana Memaj, ka dalë kundër propozimit të Partisë Socialiste për reformën territoriale, që parashikon shkrirjen e 15 bashkive në vend.
Memaj ka kundërshtuar bashkimin e Bashkisë Dimal me Bashkinë Berat, duke argumentuar se njësia vendore që ajo drejton është ende e re dhe se qytetarët nuk duhet të humbasin identitetin e krijuar pas ndryshimit të emrit nga ish-Bashkia Ura Vajgurore në Bashkia Dimal.
“Në vitin 2021, në fund të prillit, mori emrin Bashkia Dimal. Shumë keq që dimaliotët të mos e gëzonin shtëpinë e tyre të re”, deklaroi Memaj në një intervistë për A2.
Kryebashkiakja socialiste ngriti shqetësime edhe për mungesën e konsultimit dhe transparencës gjatë procesit të reformës, duke theksuar se treguesit e Bashkisë Dimal, sipas saj, janë pozitivë.
“Si mund të shkrihet një bashki që tregon se ka rritje të popullsisë? Pse duhet të shkrihet një bashki që investon me të ardhurat e veta edhe sot?”, u shpreh ajo.
Memaj deklaroi gjithashtu se investimet e kryera në territorin e Bashkisë Dimal janë realizuar si nga pushteti vendor, ashtu edhe nga qeveria shqiptare, duke kundërshtuar idenë se një bashkim me Beratin do të sillte automatikisht shërbime më të mira për qytetarët.
Sipas saj, edhe distanca fizike nga qendra e re administrative përbën një problem për banorët.
“Si do të ofrohen më mirë shërbimet nga Bashkia Berat, kur vetë distanca nga qendra është 23 kilometra?”, tha kryebashkiakja.
Në vijim të qëndrimit të saj, Memaj theksoi se reforma territoriale nuk duhet të bazohet vetëm te mendimet e kryetarëve të bashkive apo këshillave bashkiakë, por duhet të marrë në konsideratë edhe vullnetin e qytetarëve.
Ajo u shpreh se protestat kundër reformës pritet të vijojnë dhe se zëri i banorëve duhet të dëgjohet nga institucionet.
“Duket se protestat do të vijojnë. Mendimi i qytetarëve duhet të dëgjohet”, deklaroi Juliana Memaj.
Propozimi i Partisë Socialiste për reformën territoriale ka shkaktuar reagime në disa bashki, ku drejtues vendorë dhe qytetarë kanë kundërshtuar ndryshimet e propozuara për bashkimin e njësive vendore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



