Po hetohet nga SPAK dhe është mërzitur me median, Edison Memolla : Jeni kazanë

Kryebashkiaku i Rrogozhinës nën hetim nga SPAK, Edison Memolla ka reaguar për akuzat e ngritura ndaj tij.

Memolla pretendon se akuzat janë të pavërteta dhe synojnë uljen e imazhit të tij.

Ai sulmet mediat teksa thotë se pas tyre fshihen persona të etur për pushtet. Memolla paralajmëron në rrjetet sociale se do të ngrejë padi ndaj mediave që shpifin për të.

“Deri më sot jam përballur me çdo akuzë, shpifje, të pavërtetë apo lajm të rremë që prej kohësh kanë dalë për të ulur në sytë e gjithkujt imazhin tim.

Të qenurit pjesë e politikës padyshim që të bën të jesh në shënjestër të shumë kazanëve mediatikë vetëm për të përmbushur kërkesat e personave të etur për pushtet që fshihen pas siglave televizive.

Megjithatë kurrë nuk kam dalë kundër tyre hapur pasi jam individ që di t’i përgjigjem drejtësisë për aq kohë sa punën dhe postin që ma kanë besuar qytetarët e mi e drejtoj me ndershmëri dhe pastërti. Por fakti që përveç meje po baltosni familjarë të mi me akuza tepër të rënda dhe të pafalshme, madje për të disatën herë, më bën të reagoj dhe të përdor çdo armë të mundshme ligjore për t’i mbrojtur ata.

Kushdo që na njeh e di mirë me sa mund dhe djersë ka arritur familja ime të jetë kjo që është tani dhe për të gjithë ata që nxjerrin fjalë të tjera përveçse kësaj të vërtete, tashmë do të shihemi qoftë edhe për shpifjen më të rëndomtë, në dyert e të gjitha institucioneve të drejtësisë.

Me respekt,

Edison Memolla”, shkruan kryebashkiaku

Publikuar nga Publik Media