Po shkëmbenin kokainë, policia kap mat dy të rinjtë (VIDEO)
Një operacion antidrogë i koduar “Momenti” është finalizuar në Tiranë pas një hetimi të kryer nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve. Policia ka goditur në flagrancë një rast të dyshuar të shitblerjes së lëndëve narkotike të forta.
Në kuadër të operacionit janë arrestuar dy persona, të identifikuar me inicialet D. Sh., 19 vjeç, dhe D. F., 26 vjeç. Të dy u kapën në rrugën “Egnatia”, ndërsa gjatë veprimeve policore u sekuestruan në total 252 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë.
Sipas policisë, 19-vjeçari D. Sh. u kap në flagrancë teksa po i dorëzonte 26-vjeçarit D. F. një çantë brenda së cilës ndodheshin 211 gramë lëndë e dyshuar si kokainë.
Pas arrestimit, efektivët vijuan kontrollet në banesën e 19-vjeçarit. Gjatë kontrollit u gjetën dhe u sekuestruan edhe 41 gramë të tjera të lëndës së dyshuar narkotike.
Në kuadër të operacionit, policia sekuestroi gjithashtu një automjet tip “BMW” dhe tre telefona celularë, të cilat do të shërbejnë si prova materiale në vijim të hetimit.
Operacioni u zhvillua pas administrimit të një informacioni të siguruar në rrugë operative, që lidhej me dyshimin se dy personat ishin përfshirë në veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të aktivitetit të dyshuar kriminal dhe rolit të secilit prej personave të arrestuar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



