Polici HERO hidhet dhe shpëton 59-vjeçaren në lumin Buna (VIDEO)
Një ndërhyrje e shpejtë dhe plot guxim është regjistruar sot në Shkodër, ku efektivi i policisë, Erixhon Senko, u bë protagonist i shpëtimit të një gruaje 59-vjeçare që kishte tentuar t’i japë fund jetës duke u hedhur në lumin Buna. Pa u menduar dy herë, ai ndërhyri menjëherë, duke rrezikuar veten për të nxjerrë nga uji qytetaren në rrezik.
Ngjarja ndodhi rreth orës 09:30, kur forcat e Policisë së Shkodrës mbërritën me urgjencë në vendin e sinjalizuar. Në një situatë kritike dhe me rrezik të lartë, efektivët hynë në ujë dhe arritën të nxjerrin 59-vjeçaren, e cila ndodhej në gjendje të rënduar shëndetësore, por ende me shenja jete. Menjëherë pas shpëtimit, asaj iu dha ndihma e parë, duke bërë të mundur stabilizimin fillestar.
Ky reagim i menjëhershëm dhe vendimtar nxjerr në pah përkushtimin dhe përgjegjshmërinë e efektivëve të policisë, të cilët në momente vendimtare vënë në plan të parë jetën e qytetarëve. Rasti i sotëm është një dëshmi e qartë se ndërhyrja në kohë dhe kurajoja individuale mund të bëjnë diferencën mes jetës dhe tragjedisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



