Policia arreston autorin e dytë që vuri eksploziv objektit në ndërtim
Ka shkuar në 2 numri i të arrestuarve në kuadër të operacionit “Eksplozivi” në Lezhë. Në pranga është vënë Angli Stafuka, i cili akuzohet për veprat penale “Shkatërrim i pronës me eksploziv”, “Prishje e qetësisë publike”, “Mbajtje pa leje e municioneve luftarake” dhe “Kanosje”.

“Si rezultat i provave të grumbulluara, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Krujë, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit A. S., 21 vjeç, banues në Fushë Krujë.
Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasin E. P. (i ndaluar gjatë operacionit “Eksplozivi”, në dhjetor 2020), më datë 19.11.2020, në Shëngjin, Lezhë, dyshohet të ketë vendosur në një nga kolonat e një objekti në ndërtim, në pronësi të shtetasit L. Gj., një sasi lënde plasëse, nga shpërthimi i së cilës u shkaktuan vetëm dëme materiale”, thotë policia.
Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, “Prishja e qetësisë publike”, “Mbajtja pa leje e municioneve luftarake” dhe “Kanosja”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



