Policia pajiset me 5 mijë kamera trupi, ja si do të monitorohen efektivët
Rreth 5 mijë kamera trupore kanë mbërritur në Shqipëri dhe pritet të bëhen pjesë e pajisjeve të përditshme të punonjësve të Policisë së Shtetit. Projekti parashikon instalimin e këtij sistemi në të gjitha drejtoritë vendore, duke nisur me efektivët e Policisë Rrugore dhe duke u zgjeruar më pas në strukturat e tjera.
Pajisjet e njohura si Body Cam do të shoqërojnë punonjësit e policisë gjatë ushtrimit të detyrës, duke regjistruar ndërveprimet me qytetarët dhe veprimet e kryera në terren. Faza e parë e zbatimit do të përqendrohet te shërbimet rrugore, ku kontrollet dhe kontaktet me drejtuesit e automjeteve janë të vazhdueshme.
Risia e këtij mekanizmi qëndron te mënyra e administrimit të regjistrimeve. Kamerat do të jenë të lidhura me Sallat Operative, nga ku do të mund të bëhet aktivizimi dhe monitorimi i tyre. Sipas skemës së parashikuar, punonjësit që i mbajnë pajisjet nuk do të kenë akses për të ndryshuar materialet filmike apo për të fshirë pamjet e regjistruara.
Kjo mënyrë funksionimi synon të shmangë manipulimin e provave filmike dhe të krijojë një mekanizëm më të kontrollueshëm për veprimtarinë e efektivëve në terren. Pamjet e regjistruara mund të shërbejnë si dokumentim i situatave gjatë ndërhyrjeve policore, por edhe si element verifikimi në rast ankesash apo dyshimesh për shkelje.
Përmes këtij investimi synohet të forcohet llogaridhënia brenda Policisë së Shtetit, të kufizohen hapësirat për abuzim me detyrën dhe të parandalohet korrupsioni gjatë kontakteve mes uniformave blu dhe qytetarëve. Megjithatë, efektiviteti i sistemit do të varet nga mënyra se si do të zbatohet në praktikë dhe nëse monitorimi do të jetë realisht i vazhdueshëm.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



