Policia politike në krye të “luftës së klasave”!
Gentian Kaprata
Termat ‘qeverisje policore’ dhe ‘polici e militarizuar’ i kemi përdorur për herë parë në kohën kur Rilindja ishte në kulmin e “reformës” së shembjes së ndërtesave që nuk i pëlqenin. Termi ‘qeverisje policore’, i referohej përdorimit të policisë nga qeverisja edhe në ushtrimin e disa funksione qeverisëse për të cilat nuk është fare e nevojshme, sikurse është kontrolli ndërtimor i territorit. Kurse termi ‘polici e militarizuar’ lidhej me një profil të ri ushtarak që po i jepte vetes policia në atë kohë ndërsa po shfaqej në publik me armë dhe pajisje luftarake edhe kur shkonte të “luftonte” me ndonjë grua me fëmijë që rezistonte në mbrojtje të banesës që do të shembej.
Me diferenca të lehta përgjatë viteve të rilindjes, ky do të ishte prezantimi dhe sjellja e Policisë së Shtetit, derisa Drejtori i Përgjithshëm të na prezantonte edhe një karakteristikë tjetër të saj. Ai, në një komunikim me deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, deklaroi se trajtimi jo dhe aq ‘sipas manualit policor’ të një adoleshenti nga policia mund të argumentohej edhe nga fakti se ai adoleshent i përkiste ‘familjes së gabuar’! E thënë me fjalë të thjeshta, nëse adoleshenti i dhunuar nga policia do ti përkiste një familje tjetër, për të njëjtat veprime “anti-ligjore” do të trajtohej më butë. Kjo deklaratë e Drejtorit të Policisë do ta na prezantonte me ‘Policinë Politike’ të rilindjes.
Këtu duhet të bëjmë një sqarim të vogël por të domosdoshëm, kur themi ‘politike’ nuk e kemi fjalën për ‘partiake’, sikurse shpesh ngatërrohet në Shqipëri. Policitë e fazave të ndryshme të qeverisjes së tranzicionit, diku më shumë e diku më pak, gjithmonë kanë qenë partiake. Gjithmonë ju kanë shërbyer më shumë partive sesa Shtetit. Ju kanë shërbyer partive sepse ato kishin në dorë ti emëronin e ti shkarkonin, por asnjëherë nuk kanë qenë politike. Policia u bë politike, ose më saktë u prezantua se ishte, kur Drejtori i Policisë deklaroi se ajo zbaton forma të ndryshme të ‘dhunës legjitime’ të Shtetit ndaj individëve që përbëjnë grupe të ndryshme kulturore.
Kur qytetarët e një Shteti nuk janë të barabartë përpara ligjit sepse Policia e Shtetit i trajton ‘për fëmijët e kujt janë’ dhe jo ‘për atë që ata kanë bërë’, atëherë ai Shtet është larg të qenit një ‘shtet i së drejtës dhe sundimit të ligjit’. Ndërsa kur, vendimmarrjen për mënyrën specifike të trajtimit policor të secilit individ e merr Policia e Shtetit, atëherë kemi të bëjmë me një Shtet që e mbështetet funksionimin e tij në një ‘Polici Politike’, dhe që nuk i duhen instrumentet e tjera të sistemit të drejtësisë. Por i duhen ata “deputetët” që e dëgjuan në mënyrë të drejtpërdrejtë deklaratën e Kryepolicit mbi trajtimin e qytetarëve sipas llojit të familjes, dhe nuk reaguan!
Koncepti individë të fajshëm që në lindje sepse ju përkasin familjeve fajtore, nuk është një koncept i ri për shqiptarët. ‘Klasa Fajtore’ së bashku me ‘Policinë Politike’ dhe ‘Shtetin Klasor’, janë tre konceptet bazë mbi të cilat u ndërtuan organizimi i institucioneve shtetërore dhe marrëdhëniet shoqërore përgjatë viteve të regjimit komunist në Shqipëri. Por ky koncept nuk është i huaj as për europianët e Luftës së Dytë Botërore, apo për gjyshërit e këtyre evropianëve të sotëm që vijnë në Shqipëri dhe na japin ‘leksione demokracie’ kur diktaturat i kanë njohur vetëm nga filmat artistik. Edhe ata i njohën ‘Racat Fajtore’, ‘Policinë Politike’ dhe ‘Shtetin Racor’.
Komunizmi dhe fashizmi, si dy anë të të njëjtës ideologji kolektiviste, pavarësisht nëse i ndanin njerëzit në ‘klasa’ apo në ‘raca’ të ndryshme përdorën ‘Policinë Politike’ për tu siguruar se ata që nuk do ti nënshtroheshin vullnetit të Udhëheqësit, do të dënoheshin. Sikurse ndodhi edhe me adoleshentin ‘me njollë në biografi’, që nuk zbatoi me përpikmëri shtrëngimet e vendosura nga Udhëheqësi fuqiplotë. Prandaj çështja e kësaj deklarate të Kryepolicit të vendit, nuk duhet kaluar si një shprehje e injorancës së institucioneve shtetërore për të dalluar një ‘të vërtetë artistike’ nga një ‘e vërtetë faktike’, sikurse po na thonë segmente të medias të bëjmë.
Thelbi i deklaratës së Kryepolicit nuk është as ‘shkelje e privatësisë së shtetases’ sikurse na thotë Partia Demokratike, që nuk komunikon politikisht prej shtatë vitesh. Ai është një hap më tej në procesin e shkatërrimit të institucioneve të shtetit të së drejtës dhe demokracisë liberale, që ka nisur që me ardhjen e Rilindjes në qeverisje dhe shkon paralel me depolitizimin e opozitës. Diametralisht në të kundërt, deklarata e Drejtorit të Policisë së Shtetit, dëshmon se Policia e Shtetit tashmë është plotësisht Politike. Kjo është edhe arsyeja pse “deputetët” nuk reaguan kur dëgjuan akuzat ‘për familjen fajtore’ të adoleshentit, dhe pse Rilindja nuk e shkarkon Drejtorin.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



