Policia shoqëron shumë muxhahedinë, në kampin e Manzës
Sot në Manzë të Durrësit, një grup i madh policësh me mjetë të rënda ka zbarkuar në kampin e Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (PMOI/ MEK Iran). Kontrolli i gjerë është pjesë e një operacioni të ekzekutuar nga Policia e Shtetit, nën urdhrin e Gjykatës së Tiranës. Në këtë operacion janë përfshirë edhe forcat antiterroriste, me synimin e luftës kundër terrorizmit dhe parandalimit të sulmeve kibernetike.
Banorët e kampit janë shoqëruar për t’u pyetur, ndërsa pas pyetjeve ata do të kthehen në kamp. Qeveria shqiptare ka nisur këtë veprim për të hetuar sulmet kibernetike të ndodhura në vitin e kaluar, kur hakerat iranianë publikuan informacione shtetërore në faqen “Homeland Justice”, duke përfshirë të dhëna personale të kryeministrit dhe historikun e udhëtimeve të tij që nga viti 2004, duke zbuluar edhe shpenzimet e tij të papërballueshme.
Gjithashtu, një sulm i ndodhur më parë ndaj sistemit TIMS shkaktoi kaos në pikat kufitare të vendit për disa ditë. Si pasojë, qeveria shqiptare vendosi të dëbojë diplomatët iranianë dhe të shpallej prishja e marrëdhënieve diplomatike me Iranin. Para largimit, stafi i ambasadës dogji dokumente dhe fshiu informacione nga kompjuterët.
Kampi i MEK, i njohur si Ashraf-3, momentalisht strehon rreth 3,000 anëtarë të organizatës. Ky kamp është nën vëzhgimin e ndjeshëm të autoriteteve iraniane, të cilët dyshohet se kanë angazhuar edhe shqiptarë për të bërë survejimin e tyre. Që nga viti 2018, është hapur një dosje për rrezikun e sulmeve terroriste. Në fakt, tre vite më parë kishte dyshime se terroristë iranianë planifikonin një sulm të dhunshëm në Ditën e Sulltan Nevruzit në Kryegjyshatën Botërore të Bektashinjve në Shqipëri.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



