Pritjes i erdhi fundi, sonte nis spektakli i Kupës së Botës
Meksikë-Afrikë e Jugut hap siparin e Botërorit 2026
Pritjes së gjatë i vjen fundi. Tetë vite pasi Kanadaja, Meksika dhe Shtetet e Bashkuara u zgjodhën organizatore të Kupës së Botës 2026, turneu më i madh i futbollit në planet nis zyrtarisht këtë të enjte, më 11 qershor.
Sytë e botës do të jenë të drejtuar nga Meksiko Siti, ku kombëtarja vendase do të përballet me Afrikën e Jugut në ndeshjen hapëse të Grupit A. Takimi zhvillohet në stadiumin historik të kryeqytetit meksikan dhe shënon nisjen e një Botërori që për herë të parë organizohet me 48 skuadra pjesëmarrëse.
Kjo përballje rikthen kujtimet e Botërorit 2010, kur Meksika dhe Afrika e Jugut u ndeshën gjithashtu në ndeshjen e parë të turneut, në një duel që përfundoi në barazim. Trajneri i Afrikës së Jugut, Hugo Broos, ka deklaruar se skuadra e tij është përgatitur maksimalisht për sfidën ndaj vendasve, të cilët do të kenë mbështetjen e dhjetëra mijëra tifozëve në shkallët e stadiumit.
Më vonë, vëmendja do të zhvendoset në Guadalajara, ku Koreja e Jugut dhe Çekia do të luajnë ndeshjen e dytë të Grupit A. Të dyja kombëtaret synojnë ta nisin me rezultat pozitiv aventurën në turneun më prestigjioz të futbollit.
Kështu hapet zyrtarisht Kupa e Botës FIFA 2026, një edicion historik që pritet të sjellë emocione të mëdha, surpriza dhe rekorde të reja në skenën më të madhe të futbollit botëror.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



