E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Rregulli “Wenger” gati të vihet në zbatim që në Kupën e Botës
Lajme

Rregulli “Wenger” gati të vihet në zbatim që në Kupën e Botës

Arsène Wenger, një nga figurat më të mëdha të historisë së futbollit modern, po tenton të lërë një tjetër gjurmë të thellë në lojë, këtë herë jo nga stoli i trajnerit, por nga zyrat e FIFA-s. Pas 22 sezonesh në krye të Arsenalit dhe 17 trofeve të fituar, francezi është prej vitit 2018 pjesë e FIFA-s si këshilltar për zhvillimin e lojës, ku ka propozuar një ndryshim që mund të përmbysë një nga rregullat më të debatuara: pozicionin jashtë loje.

Rregulli i ashtuquajtur “Wenger” synon të modifikojë thelbësisht interpretimin aktual të offside-it. Sot, mjafton që një pjesë e trupit të sulmuesit që lejohet për të shënuar gol të jetë përpara mbrojtësit për t’u konsideruar në pozicion të parregullt. Sipas propozimit të Wengerit, një lojtar do të quhet jashtë loje vetëm nëse i gjithë trupi i tij ndodhet përpara vijës së mbrojtjes. Në çdo rast tjetër, pozicioni do të konsiderohej i rregullt.

Një ndryshim i tillë do të kishte ndikim të menjëhershëm në mënyrën e lojës. Mbrojtjet e larta, që mbështeten te vijat kompakte dhe kapja në offside, do të rrezikoheshin ndjeshëm. Ekipet që luajnë me presing të lartë dhe linja të avancuara, si Barcelona apo Manchester City, do të detyroheshin të rishikojnë filozofinë e tyre, ndërsa shumë skuadra do të tërhiqeshin më afër zonës, duke krijuar një bllok më të ulët mbrojtës.

Më 20 janar, International Football Association Board (IFAB), institucioni i vetëm përgjegjës për ndryshimet në rregulloren e futbollit, do të mblidhet për të vendosur mbi disa risi që mund të ndryshojnë ndjeshëm lojën. Në tryezë do të jenë katër tema kryesore, që përfshijnë modifikime të protokollit VAR, menaxhimin e kohës së humbur, disiplinën dhe, sigurisht, rregullin e pozicionit jashtë loje.

Një nga inovacionet që ka dhënë rezultate pozitive gjatë testimeve lidhet me trajtimin e ndërhyrjeve mjekësore në fushë. Në disa kompeticione, përfshirë Kupën e Arabisë, është aplikuar rregulli i largimit për dy minuta nga fusha për lojtarët që kërkojnë ndihmë mjekësore pas përplasjeve. Gjatë kësaj kohe, skuadra e tyre luan me një futbollist më pak. Qëllimi është i dyfishtë: të garantohet trajtim më i sigurt për lojtarin dhe të frenohet simulimi. Ky rregull nuk zbatohet për portierët dhe për rastet kur lojtari që shkakton dëmtimin ndëshkohet me karton të verdhë ose të kuq.

Një tjetër çështje e rëndësishme është lufta kundër humbjes së kohës. Rregulli aktual që kufizon portierët në mbajtjen e topit për 8 sekonda mund të zgjerohet edhe për rivëniet e tjera të lojës, përfshirë hedhjet anësore. Nëse ky limit shkelet, skuadra kundërshtare do të përfitojë goditje këndi. IFAB po shqyrton gjithashtu mundësinë e reduktimit të mëtejshëm të këtij afati kohor.

Në fokus është edhe përdorimi i VAR-it për ndëshkimet disiplinore. Aktualisht, sistemi përdoret për kartonët e kuq direkt, por ideja e re është që VAR të ndërhyjë edhe në rastet e kartonit të dytë të verdhë. Sipas FIFA-s, evolucioni i teknologjisë duhet të ndihmojë arbitrat të shmangin gabime që ndikojnë drejtpërdrejt në fatin e ndeshjeve.

Sa i përket offside-it, presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka bërë të qartë se çdo ndryshim do të duhet të testohet fillimisht. Varianti që po studiohet parashikon që një gol të konsiderohet i rregullt nëse të paktën një nga pjesët kryesore të trupit të sulmuesit – koka, busti, kofsha apo këmba – ndodhet në vijë me mbrojtësin. Vendimet do të merren përmes teknologjisë elektronike dhe sistemit gjysmëautomatik të pozicionit jashtë loje.

Edhe pse synimi kryesor i këtyre reformave është rritja e numrit të golave dhe dinamika e lojës, ekziston frika se ato mund të sjellin mbipopullim të zonës dhe futboll më të ngurtë taktikisht. Megjithatë, FIFA po e analizon me kujdes çdo skenar dhe nuk përjashtohet mundësia që disa prej këtyre rregullave të aplikohen që në Kampionatin Botëror 2026.

Vendimi final tani i takon IFAB-it, i cili pritet të marrë disa nga vendimet më të guximshme të viteve të fundit për të ardhmen e futbollit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.