Problemi nuk janë individët, por sistemi i ngritur pas pazarit të 2008-ës
Murrizi: Problemi nuk janë individët, por sistemi politik i ngritur pas pazarit të prillit 2008
Ish-deputeti Myslim Murrizi ka rikthyer në vëmendje një fjalim të mbajtur prej tij në Kuvend në qershor të vitit 2020, duke e shoqëruar me një reagim të fortë në rrjetet sociale, ku kritikon klasën politike dhe sistemin që, sipas tij, ka prodhuar krizën e demokracisë në Shqipëri.
Në postimin e tij, Murrizi kujton se vite më parë ishte cilësuar si “tradhtar” për deklaratat e tij se elita politike ishte e bashkuar për të mbrojtur interesat e veta. Sipas tij, shumë prej atyre që e kundërshtonin atëherë, sot mbajnë të njëjtat qëndrime.
“Kur kam thënë unë që elita politike është bashkë për interesat e saj, jo pak nga ju ‘revolucionarët’ e qershorit 2026 më quanit ‘tradhtar’, ndërsa ‘dashnorët’ e sotëm të Flamingove ishin në delir dhe i mbanin sytë, veshët dhe mendjen në Flamingo, Aruba dhe Bogota për ngarkesën e radhës. Por më mirë vonë se sa kurrë”, shkruan Murrizi.
“Plaga është marrëveshja e prillit 2008”
Në videon që ka ripublikuar, ish-deputeti thekson se problemi kryesor i vendit nuk lidhet me individë të veçantë, por me sistemin politik të ndërtuar pas marrëveshjes së prillit 2008.
“Vëreni gishtin te e vetmja plagë që ka sistemi politik i qelbur shqiptar, që ka kapur prej fyti shtetin dhe pushtetin. Prishja e pazarit të ndyrë të prillit 2008, që u bë për interesa të ngushta të kryetarëve të partive. Të tjerat shemben vetë si kalbësira të ngritura mbi këtë qelbësirllëk”, shprehet ai.
Sipas Murrizit, çdo përpjekje për të ndryshuar situatën politike në vend është e destinuar të dështojë nëse nuk preket, sipas tij, “rrënja e problemit”.
“Mos u merrni me degët. Vëreni gishtin te plaga. Për sa kohë që nuk prishet pazari i prillit 2008, çdo gjë tjetër është vetëm fasadë. Ai është themeli mbi të cilin është ngritur ky sistem politik”, vijon ai.
Në përfundim të reagimit, Murrizi u bën thirrje ndjekësve të dëgjojnë të plotë videon rreth nëntëminutëshe, duke e cilësuar atë si një rikujtim të qëndrimeve që, sipas tij, ka mbajtur prej vitesh lidhur me sistemin politik shqiptar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



