Procedohet penalisht mjeku ligjor Arianit Taka për neglizhencë ndaj të miturit
Prokuroria e Sarandës ka nisur procedim penal ndaj mjekut ligjor Arianit Taka, 41 vjeç, pas kallëzimit të një 34-vjeçareje nga Saranda, e cila e akuzon për neglizhencë në trajtimin mjekësor të djalit të saj të mitur në spital.
Sipas njoftimit zyrtar, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë referuan materialet në prokurori, duke çuar në nisjen e hetimeve për veprën e mundshme penale që lidhet me trajtimin e papërshtatshëm mjekësor. Materialet procedurale janë dërguar për veprime të mëtejshme.
Por ndërsa kjo çështje është ende në fazë hetimi, emri i mjekut ligjor del edhe në një tjetër rast të ndjeshëm, duke ngritur pikëpyetje nëse kemi të bëjmë me një episod të izoluar apo me një problem të përsëritur.
Rasti i dhunës ndaj gruas së moshuar
Pak kohë më parë, një denoncim i rëndë është bërë publik nga shtetasja Amalia Çollaku, e cila pretendon se është dhunuar barbarisht në Delvinë.
Sipas kallëzimit të saj në Komisariatin e Policisë në Delvinë, ajo është goditur me “shkop bastun” në këmbën e majtë nga shtetasi Nustret Çelo Basho.
Në aktin zyrtar të ekspertimit mjeko-ligjor, të firmosur nga Dr. Arianit Taka, konstatohet se viktima ka pësuar hematoma në kofshën e majtë dhe paaftësi të përkohshme për punë deri në 9 ditë.
Burime pranë çështjes pretendojnë se personi i akuzuar për dhunë rezulton i përfshirë edhe në raste të tjera, çka e bën edhe më të ndjeshme mënyrën se si janë trajtuar dhe dokumentuar ngjarjet.
Dy raste, i njëjti emër
Fakti që Arianit Taka del në dy çështje të ndara – njëra si subjekt hetimi për neglizhencë ndaj një të mituri dhe tjetra si ekspert mjeko-ligjor në një rast të rëndë dhune ndaj një gruaje të moshuar – ka rritur vëmendjen publike dhe kërkesat për transparencë institucionale.
Ndërkohë që hetimet për rastin e parë janë në vijim, mbetet për t’u parë nëse institucionet përkatëse do të verifikojnë edhe procedurat e ndjekura në rastet e mëparshme, për të sqaruar nëse kemi të bëjmë me një rast të izoluar apo me një problem të përsëritur në administrimin e detyrës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



