A është Principotes i ndërtuar pa leje dhe në tokë të zaptuar?
Pas vrasjes së 20-vjeçarit portugez Luis Miguel Varela Mendez në Ksamil, ku turisti u gjet i pajetë në shezlonët e plazhit të “Principotes”, janë bërë publike të dhëna dhe denoncime të reja që lidhen me aktivitetin e resortit luksoz.
Në kuadër të hetimeve për ngjarjen, policia ka shpallur në kërkim 36-vjeçarin Bekim Bulica. Sipas të dhënave të bëra publike, ai ndodhej në ambientet e lokalit në momentin kur nisi konflikti dhe më pas është larguar pa njoftuar autoritetet.
Emri i Bulicës është përmendur edhe në dokumente dhe denoncime të mëparshme për çështje të ndryshme penale. Sipas këtyre të dhënave, ndaj tij janë raportuar akuza apo hetime që lidhen me trafik droge në Paris, tentativë vrasjeje, kanosje, armëmbajtje pa leje, dhunë ndaj punonjësve të Policisë dhe pastrim parash.
Të dhënat e publikuara ngrenë gjithashtu pikëpyetje mbi strukturën e pronësisë së subjektit që administron “Principotes”. Dokumentet e shqyrtuara tregojnë se shoqëria “Principotes” figuron në emër të Kade Bulicës e cila është nëna e Bekim Bulicës.
Sipas dokumenteve, subjekti është themeluar në janar të vitit 2022, me një kapital fillestar prej vetëm 100 lekësh. Aktiviteti i regjistruar përfshin shërbime të ndryshme, ndërsa resorti operon me bar-kafe, restorant, hotel, mirëmbajtje plazhi, club dhe parking.
Pretendimet për pronësinë e tokës
Përveç zhvillimeve që lidhen me vrasjen e turistit portugez, “Principotes” është përfshirë edhe në një konflikt të pretenduar mbi pronësinë e truallit ku ushtron aktivitetin.
Sipas dokumenteve të cituara në denoncimet e bëra publike, një sipërfaqe prej rreth 8,800 metrash katrorë rezulton të jetë kthyer me Vendimin nr. 321 të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në favor të Selfo Çoçolit dhe trashëgimtarëve të tij.
Kjo pronësi është bërë objekt përplasjeje, pasi pretendohet se një pjesë e konsiderueshme e sipërfaqes është zënë nga subjekti “PRINCIPOTES” sh.p.k., i cili vijon të ushtrojë aktivitetin në këtë zonë.
Në dokumentet e referuara në denoncime thuhet se gjatë verifikimeve në terren është konstatuar një ndërtim mbi sipërfaqen që pretendohet si pronë private. Për këtë arsye, pronarët ligjorë i janë drejtuar Prokurorisë së Sarandës, duke kërkuar mbrojtjen e të drejtave të tyre mbi pronën.
Çështja është ndjekur gjithashtu në rrugë gjyqësore, ndërsa sipas denoncimeve të bëra publike, deri tani nuk është marrë një masë që të çojë në ndërprerjen e aktivitetit të resortit.
Hetimet vijojnë
Pavarësisht pretendimeve mbi pronësinë e truallit, ndërtimet dhe aktivitetin e subjektit, “Principotes” ka vijuar funksionimin.
Ndërkohë, të gjitha pretendimet që lidhen me veprimtari kriminale, konfliktin e pronësisë dhe ligjshmërinë e ndërtimeve mbeten për t’u verifikuar nga organet kompetente dhe nuk përbëjnë në vetvete fajësi të provuar për personat apo subjektet e përmendura.
Hetimet për vrasjen e Luis Miguel Varela Mendez vijojnë për të zbardhur të plotë dinamikën e konfliktit dhe përgjegjësitë e personave të përfshirë.
Bekim Bulica vijon të jetë i shpallur në kërkim nga Policia, ndërsa autoritetet po punojnë për lokalizimin dhe arrestimin e tij.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco






