E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Projekti 1.4 mld € i Kushner, BE: Kemi marrë garanci nga Shqipëria!
Bota

Projekti 1.4 mld € i Kushner, BE: Kemi marrë garanci nga Shqipëria!

Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Marta Kos, deklaroi të hënën se qeveria shqiptare i ka dhënë garanci Komisionit Evropian lidhur me projektin turistik me vlerë mbi 1.4 miliardë euro, i lidhur me Jared Kushner, duke siguruar se do të respektohen standardet mjedisore evropiane.

“Ne kemi marrë garanci nga qeveria e Shqipërisë se do të kryhet një vlerësim i plotë i ndikimit në mjedis dhe se standardet evropiane të mjedisit do të respektohen”, tha Kos gjatë një konference për shtyp.

Kjo deklaratë vjen në një kohë kur projekti luksoz në bregdetin shqiptar ka ndezur protesta dhe debat të gjerë publik, veçanërisht për ndikimin e mundshëm në zonat e mbrojtura mjedisore.

Shqipëria mbetet një nga vendet më të avancuara në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, menjëherë pas Malit të Zi. Megjithatë, përmbyllja e negociatave kërkon përafrimin e plotë të legjislacionit me acquis communautaire, duke përfshirë edhe standardet strikte të mbrojtjes së mjedisit.

Pak ditë më parë, zëdhënësi i Komisionit Evropian për Zgjerimin, Guillaume Mercier, u bëri thirrje institucioneve shqiptare të veprojnë “pa vonesë”, duke paralajmëruar për rrezikun që mund t’i kanoset procesit të anëtarësimit për shkak të shqetësimeve të ngritura nga Brukseli mbi këtë projekt.

Deklaratat e tij u interpretuan në Tiranë si një qëndrim paraprak i Komisionit Evropian, në një kohë kur procesi i vlerësimit të ndikimit në mjedis është ende në zhvillim.

Nga ana tjetër, Kos mbajti një qasje më të balancuar, duke theksuar se protestat janë pjesë e vlerave themelore evropiane dhe një element i rëndësishëm i një shoqërie demokratike.

“Fakti që kjo po ndodh ndërsa Shqipëria po kalon procesin e anëtarësimit është i rëndësishëm. Ky proces është ligjërisht dhe politikisht detyrues dhe i nënshtrohet monitorimit dhe vlerësimit të vazhdueshëm. Kjo ofron garancinë më të fortë që natyra dhe mjedisi i Shqipërisë do të mbrohen në përputhje me standardet evropiane”, deklaroi ajo.

Komisioni Evropian kishte ngritur më herët shqetësime edhe për ndryshimet ligjore të miratuara në shkurt 2025, të cilat parashikojnë përjashtime specifike për investimet me vlerë mbi 50 milionë euro.

Sipas Brukselit, në këtë kategori përfshihet edhe projekti i mbështetur nga Affinity Partners, kompania e lidhur me Jared Kushner, e cila ka përfituar akses të veçantë nga autoritetet shqiptare.

Duke folur për investimet e huaja, Kos theksoi se për Bashkimin Evropian thelbësor mbetet respektimi i ligjit dhe standardeve, më shumë sesa origjina e kapitalit.

“Lidhur me investimet e huaja, ato janë të rëndësishme për çdo vend kandidat dhe për shtetet anëtare. Për ne nuk ka aq shumë rëndësi nga vijnë, por nëse realizohen në përputhje me legjislacionin e Bashkimit Evropian”, u shpreh komisionerja.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.