Gazetarët përballen me dhunë dhe abuzime policore gjatë protestave
Glidona Daci po raportonte drejtpërdrejt nga protestat kundër qeverisë në Shqipëri, kur policia e spërkati me gaz lotsjellës.
Në raportimin e saj për Klan News, Daci dëgjohet duke iu drejtuar punonjësve të policisë: “Kamera është live, mos e prekni operatorin dhe mos më spërkatni me gaz lotsjellës”.
E shtyrë nga policia, Daci tha se punonjësit e policisë i shpërfillën kundërshtimet e saj.
“Ai më spërkati më pas drejtpërdrejt me gaz lotsjellës, duke më goditur në një pjesë të fytyrës, si dhe spërkati objektivin e kamerës dhe kameramanin, duke i hedhur gaz në sy”, tha ajo për BIRN. “Në atë moment nuk po kryeja asnjë shkelje dhe nuk kishte absolutisht asnjë arsye për të më shtyrë, pasi nuk ishte vendosur asnjë kordon sigurie”.
Që kur protestat kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama u përshkallëzuan në protesta të dhunshme më 13 tetor, organizatat e gazetarëve dhe të të drejtave të medias kanë dokumentuar rreth 50 incidente dhune verbale ose fizike ndaj gazetarëve që përpiqeshin të raportonin për ngjarjet, pavarësisht se ata identifikoheshin qartësisht si përfaqësues të medias.
Sipas Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë, AGSH, incidentet kanë përfshirë dhunë fizike, kërcënime, pengim të raportimit, dëmtim të pajisjeve dhe abuzim verbal ndaj gazetarëve dhe punonjësve të tjerë të medias. Në 41 raste, ose rreth 80 për qind të tyre, autorët kanë qenë pjesëtarë të Policisë së Shtetit. Rastet e tjera kanë përfshirë protestuesit.
“Gazetarët jo thjesht janë shpërfillur nga Policia e Shtetit; ata janë penguar, kërcënuar, shtyrë dhe goditur me sende të forta, plumba gome dhe spraj”, tha kreu i AGSH-së, Isa Myzyraj.
“Në disa raste, punonjësit e policisë kanë ndërmarrë veprime edhe ndaj gazetarëve që identifikoheshin qartësisht si përfaqësues të medias”.
Edhe organizata Reporterët pa Kufij, RSF, reagoi më 20 tetor, duke deklaruar se vetëm gjatë javës paraardhëse të paktën 12 gazetarë dhe punonjës të medias ishin sulmuar fizikisht gjatë raportimit nga protestat, në shumicën e rasteve nga policia.
Organizata, e cila e rendit Shqipërinë në vendin e 83-të mes 180 vendeve dhe territoreve në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit, bëri thirrje për “vendosjen e sanksioneve ndaj përgjegjësve, zbatimin e masave ekzistuese për mbrojtjen e sigurisë së gazetarëve si dhe kërkoi që parlamenti të mbajë autoritetet përgjegjëse për mënyrën se si kanë reaguar”.
Agjencia e lajmeve Reuters deklaroi se dy prej gazetarëve të saj ishin goditur nga plumba gome, “duke u lënë shenja të rrumbullakëta në trup”.
Myzyraj tha se policia ka “një detyrim që shkon përtej thjesht përmbajtjes nga përdorimi i dhunës ndaj gazetarëve. Ajo ka një detyrim pozitiv për t’i mbrojtur ata dhe për të garantuar që ata të mund të raportojnë lirisht”.
Protestat paqësore përshkallëzohen në dhunë
Protestat kundër qeverisjes së Ramës nisën në fund të muajit maj, fillimisht në kundërshtim të një projekti të propozuar për ndërtimin e një resorti turistik luksoz në një zonë të mbrojtur mjedisore në bregdet, projekt ky i lidhur me Jared Kushner-in, dhëndrin e Donald Trump-it.
Pas disa muajsh protestash paqësore, situata u përshkallëzua në dhunë në mesin e muajit tetor, kur nisën përplasjet e përditshme mes policisë dhe protestuesve të rinj, të cilët kërkonin dorëheqjen e Ramës për shkak të akuzave për korrupsion dhe keqmenaxhim ekonomik. Rama ka refuzuar vazhdimisht të japë dorëheqjen.
Më 18 tetor, Julian Hoxhaj, redaktor i lajmeve në televizionin Syri, tentoi të filmonte personat që, sipas tij, po pengonin gazetarët e tjerë të kryenin punën e tyre. Në atë moment, policia u përqendrua tek ai. Hoxhaj tha se u godit në këmbë dhe u largua me forcë nga vendi ku po zhvillohej protesta nga rreth 12 punonjës policie.
“U bëra objekt i dhunës së drejtpërdrejtë, u godita me shkelma, u tërhoqa zvarrë me forcë dhe iu nënshtrova një gjuhe brutale nga punonjësit e policisë”, tha ai, duke shtuar se ishte identifikuar para tyre si gazetar dhe u kishte treguar kartën e identifikimit si përfaqësues i medias.
Hoxhaj tha se kishte ndërmend të padiste punonjësit e policisë, eprorët e tyre dhe ministrin e Brendshëm.
“Padia ime është, në fakt, më shumë një akt dinjiteti, që lidhet me mbi 40 raste dhune dhe terrori ndaj gazetarëve, persona që janë sulmuar, intimiduar, penguar dhe fyer teksa përmbushnin detyrën e tyre për të raportuar mbi protestat e studentëve që prej 13 tetorit”, tha Hoxhaj për BIRN.
Lorin Kadiu, drejtues i medias Citizens.al, përshkroi një incident të ngjashëm, gjatë të cilit, sipas tij, një punonjës policie qëlloi me plumb gome, i cili i kaloi shumë pranë fytyrës, “vetëm sepse po e fotografoja”.
“Isha vetëm dhe identifikohesha qartësisht si gazetar, pasi në helmetë dhe në trup kisha të vendosura shenjat dalluese PRESS”, tha Kadiu për BIRN.
“Po atë ditë, u bëra gjithashtu objektiv i qëllimshëm i autobotit me ujë në disa raste, çka më dëmtoi pajisjet e xhirimit, ndonëse nuk po kryeja asnjë veprim që mund të pengonte forcat e policisë”.
Mungesë trajnimi dhe pajisjesh
Myzyraj tha se gazetarët në Shqipëri vijojnë të mos kenë trajnimin dhe pajisjet e duhura për të punuar në mjedise ku përballen me situata armiqësore.
“Në Shqipëri ende mungon një kulturë e konsoliduar e sigurisë së gazetarëve gjatë raportimit në terren”, tha ai.
“Shumë gazetarë nuk kanë marrë trajnime specifike për raportimin në mjedise armiqësore, menaxhimin e rrezikut apo mënyrën se si duhet të reagojnë ndaj përdorimit të gazit lotsjellës, plumbave të gomës dhe masave të tjera për kontrollin e turmave”.
“Jo të gjitha redaksitë u kanë siguruar gazetarëve të tyre helmeta, syze mbrojtëse, maska dhe pajisje të tjera të nevojshme”.
Kadiu tha se as këto masa nuk do të mjaftonin.
“Asnjë pajisje, trajnim apo përgatitje nuk mund t’ju mbrojë nga një sulm i drejtpërdrejtë i agjentëve shtetërorë, të cilët në fakt duhet të jenë ata që ju mbrojnë”, tha ai.
Një tjetër gazetare, Inva Hasanaliaj, tha për BIRN: “Bazuar në atë që kam parë dhe përjetuar personalisht në terren gjatë ditëve të fundit, ka pasur raste të përsëritura kur policia nuk ka respektuar rolin dhe statusin e gazetarëve, ndonëse ata ishin qartësisht të identifikueshëm dhe po kryenin detyrat e tyre profesionale”.
“Kam vënë re se shumë prej nesh përballen me situata të rrezikshme pa pasur përgatitjen e nevojshme për t’i përballuar ato”, tha Hasanaliaj. “Në Shqipëri, raportimi nga protestat shpesh trajtohet si një detyrë rutinë, ndërkohë që në realitet, brenda pak sekondash, mund të shndërrohet në një situatë me rrezik të lartë”.
Një tjetër aspekt është ndikimi në shëndetin mendor, i cili shpesh anashkalohet.
“Të jesh dëshmitar i dhunës, të shohësh arrestime të dhunshme apo të përjetosh personalisht kërcënime dhe agresion nuk është diçka që përfundon në momentin kur fiket kamera”, tha Hasanaliaj. “Përvoja të tilla mund të kenë pasoja afatgjata, por në shumë redaksi vijon të mbizotërojë mentaliteti se gazetari duhet të jetë i fortë dhe të vazhdojë punën sikur të mos ketë ndodhur asgjë”./ BIRN
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



