Prokuroria kërkon pushimin e akuzës ndaj ish-deputetit Jurgis Çyrbja
Ish-deputeti socialist Jurgis Çyrbja nuk do të përballet me akuzën e shpërdorimit të detyrës për çështjen e dyshimeve mbi falsifikimin e dokumentacionit të pronave. Pas hetimeve të kryera nga Prokuroria e Durrësit, organi i akuzës ka arritur në përfundimin se nuk ka prova që e lidhin ish-funksionarin me falsifikimin e dokumenteve apo me përfitime të paligjshme gjatë procedurave të regjistrimit të tokave.
Dosja fillimisht ishte nën hetimin e SPAK, por më pas, pas shpalljes së moskompetencës nga prokurori Dritan Prençi, çështja iu kalua Prokurorisë së Durrësit për vijimin e veprimeve hetimore.
Nga shqyrtimi i dokumentacionit dhe veprimeve të kryera, hetuesit kanë arritur në përfundimin se nuk provohet që Çyrbja të ketë marrë pjesë në falsifikimin e dokumenteve, të ketë pasur dijeni për paligjshmërinë e tyre apo të jetë bashkëpunuar me persona të tjerë për të përfituar personalisht.
Në dosjen e pushimit, Prokuroria vëren gjithashtu se në disa prej aplikimeve për regjistrimin e pronave, Çyrbja kishte kërkuar plotësimin e dokumentacionit ligjor përpara se procedurat të vijonin. Për këtë arsye, Prokuroria e Durrësit i ka kërkuar gjykatës pushimin e akuzës së shpërdorimit të detyrës ndaj ish-deputetit.
Ndryshe paraqitet situata për dy personat e tjerë të përfshirë në këtë dosje, Hysen Gashi dhe Qamil Lila, të cilët janë dërguar për gjykim.
Dy dosje të ndryshme, dy përfundime të ndryshme
Hetimi për dokumentacionin e pronave ishte një nga çështjet që solli përplasjet e para të Çyrbjes me drejtësinë dhe që, në kulmin e hetimeve, u shoqërua me dorëheqjen e tij nga mandati i deputetit.
Megjithatë, ish-deputeti u përball më pas me një tjetër dosje të SPAK-ut, e cila kishte në qendër komunikimet e dyshuara përmes aplikacionit SkyECC. Në këtë çështje ai u akuzua për korrupsion në zgjedhje dhe nxjerrje të sekreteve policore, të cilat, sipas hetimit, u përcilleshin anëtarëve të grupeve kriminale.
Pavarësisht pretendimeve të mbrojtjes se Çyrbja nuk e kishte përdorur aplikacionin SkyECC, ai u shpall fajtor dhe u dënua me dy vite burgim. Ish-deputeti përfundoi vuajtjen e dënimit dhe doli nga qelia në shkurt të këtij viti.
Ndërkohë, ai i është drejtuar Gjykatës së Lartë për të kundërshtuar edhe këtë vendim, duke pretenduar se disponon një shkresë të Policisë së Shtetit, sipas së cilës, nga 29 dhjetori 2020 deri më 7 mars 2021, nuk kishte pasur plan masash për arrestimin e personave të kërkuar në zonat Manëz-Maminas dhe Sallmone. Sipas pretendimit të tij, në këto kushte nuk mund të kishte pasur njoftime për personat problematikë.
Pra, pushimi i kërkuar nga Prokuroria e Durrësit lidhet vetëm me dosjen e dokumentacionit të pronave dhe nuk ndryshon statusin e çështjes tjetër penale për të cilën Çyrbja është dënuar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



