Protesta e opozitës, deputeti Klevis Balliu paditet në SPAK
Policia e Shtetit ka arrestuar katër persona të dyshuar për akte dhune gjatë protestës së zhvilluar nga Partia Demokratike më 28 shkurt në Tiranë.
Sipas policisë, të arrestuarit dyshohet se gjatë tubimit kanë ushtruar dhunë, kanë kundërshtuar punonjësit e policisë dhe kanë hedhur lëndë piroteknike si dhe molotov në drejtim të efektivëve dhe të godinës së Vilës 31. Në momentin e incidentit, brenda ndërtesës ndodheshin edhe shtetas të huaj, duke rrezikuar sigurinë e tyre.
Si pasojë e hedhjes së mjeteve piroteknike janë shkaktuar dëmtime në godinë, ndërsa janë dëmtuar edhe 32 kosha mbeturinash të vendosur nga Bashkia Tiranë.
Në cilësinë e provës materiale, policia ka sekuestruar molotovë dhe lëndë të tjera piroteknike të përdorura gjatë protestës, të cilat janë dërguar për ekspertim kriminalistik.
Ndërkohë, materialet procedurale i janë referuar Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për deputetin Klevis Balliu, i cili akuzohet për organizim të paligjshëm të tubimeve.
Policia bëri me dije gjithashtu se është proceduar në gjendje të lirë edhe një i mitur 16-vjeçar, pasi gjatë kontrollit iu gjet me vete municion i dyshuar për armë sportive.
Sipas autoriteteve, janë administruar pamjet filmike të protestës dhe vijon këqyrja e tyre për identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë marrë pjesë në akte të dhunshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



