Tensionet gjatë protestës së PD, 4 efektivë të policisë te Trauma
Protesta e organizuar nga Partia Demokratike në Tiranë është shoqëruar me tensione të forta, ku nuk kanë munguar përplasjet mes protestuesve dhe forcave të rendit, si edhe përdorimi i mjeteve të forta si bomba molotov dhe fishekzjarre.
Sipas informacioneve nga terreni, 4 efektivë të forcave speciale “Shqiponja” kanë mbetur të lënduar dhe janë transportuar drejt Spitali i Traumës për të marrë ndihmë mjekësore.
Situata u përshkallëzua në momentin kur protestuesit tentuan të thyejnë kordonin e sigurisë dhe të marshojnë drejt Kuvendit të Shqipërisë. Ndërhyrja e policisë për të ndaluar avancimin e tyre solli përplasje të drejtpërdrejta dhe rriti tensionin në terren.
Për të shpërndarë turmën, Policia e Shtetit përdori gaz lotsjellës dhe autobotë me ujë, në përpjekje për të rikthyer kontrollin e situatës.
Gjatë përplasjes, deputetët e opozitës Luçiano Boçi dhe Flamur Noka u përfshinë në një konflikt verbal dhe fizik me efektivët e policisë.
Ky i fundit reagoi ashpër, duke akuzuar policinë se ka vepruar me urdhra të drejtpërdrejtë për të goditur liderin e opozitës Sali Berisha, madje duke pretenduar përdorimin e spray-t në drejtim të tij.
Pas përplasjeve, forcat “Shqiponja” janë tërhequr nga zona, ndërsa situata ka mbetur e tensionuar.
Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se në Spitali i Traumës janë paraqitur tre efektivë të policisë me lëndime, të cilët po marrin trajtim mjekësor.
Gjithashtu, një efektiv i Policisë Rrugore është paraqitur për ndihmë mjekësore në Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza, ku po trajtohet nga mjekët.
Deri në këto momente, nuk ka ende të dhëna zyrtare për numrin e qytetarëve të lënduar gjatë protestës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



