Protestat kundër resortit të Bashkim Ulajt në në Rrjoll
Banorët: Do t’i drejtohemi Ambasadës së
Protesta e banorëve të Rrjollit kundër ndërtimit të një resorti turistik në Velipojë ka hyrë në ditën e tetë, ndërsa sot ata zhvilluan një takim me kryebashkiakun e Shkodrës, Benet Beci, për të kërkuar sqarime mbi projektin e kompanisë “Gener 2”, në pronësi të biznesmenit Bashkim Ulaj.
Banorët pretendojnë se kompania ka zaptuar tokat e tyre dhe se projekti po zbatohet pa transparencë dhe pa dëgjesë publike. Sipas tyre, ndërhyrjet në zonë po cenojnë pronat dhe të drejtat e komunitetit lokal.
“Bashkia nuk ka kompetencë”
Pas takimit, përfaqësuesit e banorëve deklaruan se kryebashkiaku u ka komunikuar se Bashkia Shkodër nuk ka kompetencë mbi territorin bregdetar në fjalë. Sipas tyre, ai ka kërkuar që të paraqesin një kërkesë me shkrim për të marrë informacion mbi lejen e ndërtimit të dhënë për projektin.
Prekë Molla, përfaqësues i banorëve të Rrjollit, u shpreh se nuk pret zgjidhje nga institucionet vendase dhe paralajmëroi përshkallëzim të reagimit.
“Ne do të shkojmë deri para ambasadave të BE dhe asaj amerikane. Nuk presim më reagim nga ministrat apo kryeministri. Ose të na largojnë prej këtu, ose do të vritemi”, deklaroi ai.
Paralajmërim për ndërkombëtarizim të çështjes
Banorët theksuan se, nëse nuk marrin përgjigje dhe transparencë për lejen e ndërtimit dhe procesin e ndjekur, do t’i drejtohen Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri si dhe përfaqësive të Bashkimit Evropian.
Ata pretendojnë se projekti po zhvillohet në kundërshtim me interesin e komunitetit dhe pa konsultim të rregullt publik.
Deri tani nuk ka një reagim zyrtar nga kompania “Gener 2” apo nga institucionet qendrore lidhur me pretendimet e ngritura nga banorët.
Protestat në Rrjoll vijojnë, ndërsa tensioni mes komunitetit lokal dhe përfaqësuesve institucionalë mbetet i lartë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



