Protestat në Tiranë, Policia ndëshkon 37 qytetarë me gjoba nga 5 mijë lekë
Policia e Tiranës ka ndëshkuar me gjoba administrative 37 persona që morën pjesë në protestat e zhvilluara në kryeqytet më 9 dhe 10 nëntor, pasi dyshohet se penguan qarkullimin e automjeteve duke bllokuar rrugën gjatë tubimeve.
Sipas të dhënave të bëra publike nga Policia, për secilin prej personave të identifikuar është vendosur një gjobë prej 5 mijë lekësh. Në total, vlera e penaliteteve arrin në 185 mijë lekë.
Shkeljet janë konstatuar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku zhvillimi i protestave është shoqëruar me bllokimin e lëvizjes së automjeteve dhe pengimin e qarkullimit në këtë aks të rëndësishëm të kryeqytetit.
Policia pretendon se efektivët e pranishëm në terren u kanë bërë disa herë thirrje protestuesve, përmes megafonëve, që të lirojnë rrugën dhe të lejojnë rikthimin e qarkullimit normal. Sipas versionit zyrtar, këto kërkesa nuk janë marrë parasysh nga personat që kishin zënë hapësirën e rrugës.
Në këto kushte, uniformat blu kanë proceduar me vendosjen e masave administrative, duke iu referuar Aktit Normativ nr. 5, datë 28 tetor 2026, konkretisht pikës 2 të nenit 24/1.
Në bazë të këtij akti janë plotësuar procesverbalet përkatëse dhe janë vendosur 37 gjoba, secila në vlerën 5 mijë lekë.
Kështu, vetëm për dy ditët e protestave, penalitetet financiare të vendosura ndaj qytetarëve që bllokuan qarkullimin në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” kapin shifrën e 185 mijë lekëve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



