Protestuesit me djegie në lëkurë, probleme në frymëmarrje dhe shikim
Shkon në 3 numri i efektivëve të lënduar
Tensionet në protestën pranë Kuvendit kanë sjellë pasoja të rënda për disa qytetarë, të cilët kanë pësuar lëndime pas ndërhyrjes së forcave të rendit. Nga pamjet e siguruara në terren, dy protestues janë transportuar me urgjencë nga ambulanca pasi kanë marrë ndihmën e parë mjekësore në vendngjarje.

Gjatë përplasjes, policia ka përdorur ujë me presion, gaz lotsjellës dhe spraj me piper për të shpërndarë turmën. Ajo që ka tërhequr vëmendje këtë herë është përdorimi i një lënde me ngjyrë blu, e cila është shpërndarë në drejtim të protestuesve përmes ujit me presion. Ende nuk ka informacion zyrtar mbi përbërjen e saj, por sipas dëshmive nga vendi i ngjarjes, kjo substancë ka shkaktuar reagime të forta në lëkurë, duke sjellë shqetësime të menjëhershme tek qytetarët e ekspozuar.

Nga ana tjetër, bilanci i të lënduarve përfshin edhe efektivë të Policisë së Shtetit. Të paktën tre prej tyre kanë pësuar dëmtime gjatë përplasjeve me protestuesit në zonën përreth Parlamentit, ku situata u tensionua ndjeshëm për disa momente.
Protesta vijon mes një pranie të shtuar të forcave të rendit dhe njësive speciale, ndërsa qytetarët vazhdojnë thirrjet kundër qeverisë. Kërkesa kryesore mbetet largimi i kryeministrit Edi Rama, duke e mbajtur klimën politike të ndezur dhe situatën në terren të brishtë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



