E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Protestuesit nxjerrin orenditë e Iute Credit dhe i djegin në mes të rrugës
Lajme

Protestuesit nxjerrin orenditë e Iute Credit dhe i djegin në mes të rrugës

Protesta studentore në Tiranë ka vijuar me incidente, ndërsa situata është përshkallëzuar në zonën e Rrugës së Durrësit. Një grup protestuesish ka hyrë në ambientet e një pike të institucionit financiar Iute Credit, prej nga ka nxjerrë orendi dhe i ka hedhur në flakët e ndezura në mes të rrugës.

Sipas informacioneve nga vendngjarja, orenditë janë marrë nga ambientet e biznesit dhe janë përdorur për të ushqyer vatrat e zjarrit të krijuara përgjatë akseve ku po zhvillohet protesta.

Përveç orendive, protestuesit po djegin edhe materiale promocionale dhe tenda të vendosura në zonën e tubimit. Situata është përqendruar kryesisht në Rrugën e Durrësit dhe rrugën “Mine Peza”, ku janë krijuar disa vatra zjarri.

Policia dislokon katër autobotë me ujë me presion

Protesta ka zgjatur më shumë se katër orë, ndërsa një pjesë e protestuesve vijon të qëndrojë në rrugë, pavarësisht ndërhyrjeve të mëparshme të forcave të rendit.

Në zonë janë dislokuar forca të shumta policie, të cilat po monitorojnë situatën dhe janë në gatishmëri për të ndërhyrë në rast të përshkallëzimit të mëtejshëm. Sipas informacioneve nga terreni, në dispozicion të forcave të rendit janë vendosur edhe katër autobotë me ujë me presion.

Tensionet e fundit vijnë pas përplasjeve të regjistruara më herët, kur protesta nisi përpara Ministrisë së Arsimit. Gjatë ndërhyrjeve për shpërndarjen e turmës, policia përdori ujë me presion dhe gaz lotsjellës.

Ndërkohë, djegia e orendive të marra nga ambientet e Iute Credit, së bashku me materialet e reklamave dhe tendat, shënon një tjetër zhvillim të protestës që vijon në qendër të Tiranës.

Situata në Rrugën e Durrësit dhe rrugën “Mine Peza” mbetet e tensionuar, ndërsa prania e shtuar e policisë synon të menaxhojë zhvillimet në terren.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.