E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Pse urdhëroi  Rama lirimin e Ilir Gjonit si Ambasador në NATO?
Flash

Pse urdhëroi Rama lirimin e Ilir Gjonit si Ambasador në NATO?

Drejtor kabineti në Kryeministri, dy herë ministër dhe 8 vite deputet

Ilir Gjoni, politikan dhe diplomat karriere, është liruar sot nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë pranë NATO-s, përmes një dekreti të firmosur nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj.

Vendimi ka hyrë në fuqi menjëherë, ndërsa arsyet zyrtare të këtij shkarkimi nuk janë bërë ende publike. Burime mediatike bëjnë me dije se propozimi për lirimin nga detyra është bërë nga Kryeministri Edi Rama, ndërsa Presidenti Begaj ka firmosur dekretin përkatës.

Ilir Gjoni ishte emëruar në krye të Misionit të Përhershëm të Shqipërisë në NATO në shtator të vitit 2023, pas një karriere mbi 30-vjeçare në shërbimin publik, diplomaci dhe politikë.

Ai ka shërbyer për më shumë se dhjetë vite si diplomat karriere në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, ndërsa në vitet 1999–2000 ka mbajtur postin e Drejtorit të Kabinetit në Kryeministri, gjatë qeverisjes së drejtuar nga Ilir Meta.

Gjoni ka qenë gjithashtu dy herë ministër, duke drejtuar Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ministrinë e Brendshme në periudhën 2000–2002. Paralelisht, ai ka pasur një angazhim të gjatë politik, duke qenë një nga figurat aktive të Partisë Socialiste gjatë viteve në opozitë.

Në karrierën e tij parlamentare, Ilir Gjoni është zgjedhur deputet në dy legjislatura: 2001–2005 dhe 2009–2013, duke përfaqësuar elektoratin socialist në Kuvendin e Shqipërisë.

Pas ardhjes në pushtet të Partisë Socialiste në vitin 2013, Gjoni u emërua Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Konfederatën Zvicerane dhe Principatën e Lihtenshtajnit, një detyrë që e mbajti për rreth një dekadë, nga viti 2014 deri në vitin 2023. Pas përfundimit të këtij mandati, ai u transferua si Ambasador, Përfaqësues i Përhershëm i Shqipërisë në NATO.

Megjithatë, pavarësisht përvojës së gjatë dhe kontributit shumëvjeçar në shërbim të shtetit dhe Partisë Socialiste, mbetet e paqartë se përse, vetëm dy vite pas emërimit në NATO, Kryeministri Edi Rama i ka propozuar Presidentit Begaj lirimin e Ilir Gjonit nga kjo detyrë strategjike.

Deri në një sqarim zyrtar nga institucionet përkatëse, vendimi mbetet i mbuluar nga heshtja dhe ngre pikëpyetje mbi arsyet reale të këtij largimi të beftë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.