Punëtor i vdekur në kantierin e aeroportit të Vlorës – arrestohet administratori i kompanisë ndërtuese
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në kantierin e ndërtimit të aeroportit të Vlorës, ku një punëtor humbi jetën pasi u rrëzua nga lartësia gjatë orarit të punës. Viktima është identifikuar si D. H., 38 vjeç, i punësuar pranë një kompanie ndërtimi që angazhohet në projektin e këtij aeroporti strategjik.
Pas hetimeve paraprake të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë, është arrestuar në flagrancë shtetasi D. N., 45 vjeç, banues në Tiranë, i cili rezulton të jetë administratori i kompanisë ndërtuese.
Gjithashtu, është proceduar penalisht shtetasi U. S., 41 vjeç, po nga Tirana, me funksion përgjegjës i punimeve në kantier. Të dy këta persona dyshohet se kanë shkelur detyrimet ligjore për sigurimin teknik në vendin e punës, duke sjellë si pasojë humbjen e jetës së punëtorit.
Policia ka bërë me dije se materialet hetimore janë referuar në Prokurorinë e Vlorës për veprime të mëtejshme ligjore.
Ngjarja rikthen edhe një herë në vëmendje problematikën e rëndë të mungesës së masave të sigurisë në kantierët e ndërtimit, një plagë e heshtur që po merr jetë njerëzish në emër të “zhvillimit” dhe projekteve madhore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



