Qeveria akordon fondin 150 milionë lekë, do përdoret për…
Qeveria ka përcaktuar buxhetin fillestar për Strukturën e Posaçme Antikorrupsion për vitin 2019, shumë e cila arrin në 150 milionë lekë.
Sipas VKM-së së bërë publike, kjo shifër e përcaktuar është vënë në dispozicion për të gjitha shpenzimet që do të ketë ky institucion për funksionimin e tij. Kjo strukturë pritet të hetojë korrupsionin në nivele të larta drejtuese.
“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 10, të nenit 57, të ligjit nr.95/2016, ‘Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar’, me propozimin e ministrit të Drejtësisë dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave vendosi: Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i përcaktohet për vitin 2019 buxheti fillestar prej 150 000 000 (njëqind e pesëdhjetë milionë) lekësh, për përballimin e shpenzimeve lidhur me ushtrimin e aktivitetit gjatë vitit 2019. Ngarkohen Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për ndjekjen e procedurave për zbatimin e këtij vendimi”, shkruhet në vendim.
SPAK
Këshilli i Lartë i Prokurorisë miratoi në 16 korrik listën e 15 prokurorëve që pas procedurës së përzgjedhjes për të qenë pjesë e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, morën pikët më të larta. Surpriza e listës së miratuar nga KLP është mungesa e drejtueses së Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela, dhe ish-drejtuesit të kësaj Prokurorie, Besim Hajdarmataj.
Ndërkohë, jashtë 15 më të mirëve janë lënë edhe dy prokurorët e dosjeve me të diskutuara të momentit, Vladimir Mara dhe Dritan Prençi. Sipas Këshillit, renditja e kandidatëve që kërkojnë të jenë pjesë e SPAK është bërë pas vlerësimit të letrës së motivimit, akteve rreth procedimeve penale të kandidatëve, informacionet nga burimet e hapura përveç dokumenteve të prezantuara nga kandidatët.
Struktura e Posaçme Antikorrupsion, e njohur gjerësisht si SPAK, do të jetë e specializuar për hetimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Prandaj, edhe një nga kriteret e parashikuara në ligj për anëtarin e Prokurorisë së Posaçme, është edhe eksperienca në hetimet për krimin e organizuar dhe korrupsionit. Ndërkohë, ngritja e SPAK do të shkrijë Gjykatën për Krime të Rënda dhe një pjesë kompetencave të kësaj të fundit do t’u kalojnë gjykatave në rrethe.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



