Qeveria futi TVSH në biznesin e vogël , dështim …
Plani i qeverisë për të rritur të ardhurat nga TVSH përmes përfshirjes në skemë të biznesit të vogël ka rezultuar një dështim total, të paktën deri në korrik.
Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se në 7 muajt e parë të vitit, të ardhurat nga TVSH e brendshme ishin 300 milionë lekë më të ulëta se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Megjithë kundërshtimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe opozitës, në fund të vitit të kaluar qeveria miratoi një ligj, i cili uli pragun e xhiros vjetore të bizneseve që paguajnë TVSH, nga 5 milionë lekë që ishte në 2 milionë lekë.
Kjo masë, e cila hyri në fuqi në 1 prill të këtij viti, përfshiu për herë të parë në skemën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar rreth 11 mijë biznese të vogla, të cilat më parë ishin të përjashtuara nga pagesa e kësaj takse.
Sipas qeverisë përfshirja e biznesit të vogël në TVSH do të bënte të reduktonte evazionin duke mbyllur të gjithë ciklin e qarkullimit të mallrave në ekonomi.
Argumenti i qeverisë ishte se duke përfshirë biznesin e vogël në Tatimin mbi Vlerën e Shtuar ai do të ishte më i interesuar të kërkonte faturat e blerjes nga biznesi i madh, duke mbyllur shtigjet e evazionit për të mëdhenjtë dhe duke sjellë më shumë të ardhura nga TVSH-ja që mblidhet brenda vendit.
Por sipas të dhënave zyrtare të vetë qeverisë, në 7 muajt e parë të vitit të ardhurat nga tvsh ishin 1.5 për qind më të ulëta se sa e njëjta periudhë e një viti më parë.
Më konkretisht për periudhën Janar-Korrik 2018 Tatimet mblodhën 20.3 miliardë lekë të ardhura nga TVSH, ndërkohë që për të njëjtën periudhë të një viti më parë, shifra ishte 20.6 miliardë lekë.
Madje të dhënat tregojnë se e gjithë rënia e të ardhurave ka ndodhur pas datës 1 prill, kur hyri në fuqi detyrimi i biznesit të vogël për të paguar TVSH. Sipas të dhënave zyrtare nga Financat, për periudhën Prill-Korrik të këtij viti, të ardhurat nga TVSH e brendshme ishin 400 milionë lekë më pak se sa e njëjta periudhë e vitit të kaluar, edhe pse vjet biznesi i vogël nuk paguante TVSH.
Pra përfshirja e biznesit të vogël në skemën e TVSH-së jo vetëm që nuk ka sjellë të ardhura shtesë, ashtu sikurse pretendonte qeveria, por përkundrazi e ka rritur edhe më shumë evazionin fiskal.
I vetmi efekt i kësaj mase të kundërshtuar fuqishëm nga Fondi Monetar Ndërkombëtar ka qenë mbyllja e bizneseve të vogla, të cilat në pamundësi për të përballuar rritjen e taksave kanë falimentuar duke dëmtuar ekonominë e tyre familjare dhe atë kombëtare.
Dështimi i kësaj mase ishte paralajmëruar që më parë, jo vetëm nga FMN dhe opozita, por edhe nga një sërë ekspertësh, sipas të cilëve përfshirja e biznesit të vogël në TVSH do ta dëmtonte atë, pa sjellë të ardhura shtesë në buxhet. Këto paralajmërime tashmë janë konfirmuar zyrtarisht edhe nga të dhënat e vetë qeverisë, e cila edhe pse e detyron biznesin e vogël që të paguajë TVSH, tashmë po mbledh më pak të ardhura.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



