Qeveria jep leje për kullë 14 kate në Gjirin e Lalzit
Kompania me 100 mijë lekë kapital merr leje për resort
Një ndërtesë e lartë prej 14 katesh pritet të ndryshojë ndjeshëm profilin urban të Gjirit të Lalzit, një zonë që deri më tani është karakterizuar nga ndërtime të ulëta dhe komplekse turistike të shtrira horizontalisht. Deri më sot, në këtë zonë janë miratuar kryesisht projekte deri në 4 kate, në përputhje me idenë e zhvillimit të qëndrueshëm dhe në harmoni me natyrën. Megjithatë, kursi duket se ka ndryshuar, duke ngritur shqetësime se Gjiri i Lalzit mund të marrë të njëjtin drejtim zhvillimi si zona të tjera bregdetare të mbingarkuara me beton.
Së fundmi, Agjencia e Zhvillimit të Territorit ka zbardhur një leje të re ndërtimi, e cila është miratuar me kusht. Projekti parashikon ndërtimin e një kompleksi që përfshin struktura hotelerie me 1, 3, 13 dhe 14 kate mbi tokë, si dhe ndërtesa rezidenciale dhe shërbimesh me 1 deri në 3 kate, të pajisura me tarraca të shfrytëzueshme dhe mur rrethues. Objekti do të ndërtohet në territorin e Bashkisë Durrës dhe zhvillues është kompania “Bpi Blessed Property Invest”.
Sipas dokumentacionit, leja do të bëhet efektive vetëm pasi subjekti të përmbushë të gjitha detyrimet tekniko-ligjore dhe të kryejë pagesën e taksës së ndikimit në infrastrukturë për llogari të Bashkisë së Durrësit.
Nga dokumentet shoqëruese rezulton se parcela ku do të ndërtohet kompleksi ndodhet në një zonë me karakter agrikulturor, konkretisht tokë arë, me një sipërfaqe totale prej 7333 m². Në këtë truall nuk ekziston aktualisht asnjë strukturë ndërtimore. Projekti synon realizimin e një resorti me funksione hotelerie, apartamente dhe shërbime turistike, bazuar në parametrat teknikë përkatës.

Në dokumente të tjera, të siguruara nga Qendra Kombëtare e Biznesit, evidentohet se pronar i shoqërisë “Bpi Blessed Property Invest” është Erald Mata, 36 vjeç nga Dibra, ndërsa administrator rezulton Agim Isaku, po nga i njëjti qytet. Një element që bie në sy është kapitali i deklaruar i kompanisë, i cili rezulton të jetë vetëm 100 mijë lekë.
Ky fakt ngre pikëpyetje mbi burimet financiare që do të përdoren për realizimin e një projekti kaq të madh. Sipas të dhënave, Mata dhe Isaku kanë qenë më herët të lidhur me një subjekt bar-restorant me emrin “Ibiza” në zonën e Gjirit të Lalzit. Referuar regjistrave të QKB-së, NIPT-et e këtij subjekti janë pezulluar dhe më pas çregjistruar.
Kjo situatë hap diskutime mbi mënyrën e funksionimit të aktivitetit të mëparshëm të tyre, si dhe mbi mundësinë e zhvillimit të aktivitetit informal. Megjithatë, çdo vlerësim përfundimtar mbetet në dorën e institucioneve përgjegjëse, në rast se do të ketë verifikime zyrtare.
Ndërkohë, fakti që një kompani me kapital minimal dhe me histori të tillë arrin të sigurojë një leje për një projekt të përmasave të mëdha në një nga zonat më të lakmuara të bregdetit shqiptar, shton dyshimet për ndikime apo mbështetje të forta.
Sipas projektit, kulla 14-katëshe do të jetë ndërtesa më e lartë në zonë, duke shënuar një devijim të qartë nga filozofia e deritanishme e zhvillimit në Gjirin e Lalzit, e cila ka favorizuar ndërtime të ulëta dhe integrim me mjedisin natyror.


Pamjet e projektit tregojnë një strukturë të lartë dominuese, e ndjekur nga një seri ndërtesash më të ulëta të vendosura pranë njëra-tjetrës, duke krijuar një ansambël të dendur ndërtimor.
Nëse ky model zhvillimi vijon, ekziston rreziku që zona të ndjekë të njëjtin fat si Golemi, Mali i Robit, Qerreti apo vetë Durrësi, ku ndërtimet intensive kanë ndryshuar ndjeshëm karakterin urban dhe natyror të vijës bregdetare.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



