Qindra banesa nën ujë dhe banorë të evakuuar në Durrës
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, zhvilloi të martën mbledhjen e Komitetit të Emergjencave Civile për qarkun e Durrësit, në kuadër të situatës së krijuar nga reshjet e dendura dhe përmbytjet.
Në deklaratën e dhënë pas përfundimit të mbledhjes, Vengu bëri me dije se deri më tani janë evidentuar rreth 800 banesa të prekura nga uji, ndërsa 180 qytetarë janë detyruar të evakuohen për arsye sigurie.
Sipas ministrit, të gjitha strukturat përgjegjëse ndodhen në terren dhe po ndjekin nga afër zhvillimet, pasi rreziku vijon të mbetet i pranishëm. Ai theksoi se zonat më problematike janë ish-Këneta, Shkozeti dhe zona e ish-Nishtullës, ku po punojnë pa ndërprerje ekipet civile dhe ato të Forcave të Armatosura, të cilat janë angazhuar në mbështetje të strukturave të Bashkisë Durrës.
Vengu garantoi se institucionet nuk do të tërhiqen nga terreni derisa të realizohet largimi i plotë i ujërave, duke paralajmëruar se pritet një natë e vështirë për shkak të vijimit të reshjeve.
Ai shtoi se personat e evakuuar janë akomoduar në dy kavalishenca të Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Mbrojtjes, ku u është siguruar strehim, ushqim dhe ndihmë mjekësore sipas nevojës, për të përballuar orët kritike gjatë natës dhe mëngjesit.
Ministri vuri gjithashtu theksin te rreziku potencial nga prurjet ujore, duke nënvizuar se vëmendja kryesore është përqendruar në parandalimin e një situate problematike në basenin e lumit Erzen, për të shmangur përmbytje të mundshme edhe në zonën e Shijakut.
Nga ana e saj, kryetarja e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako, bëri të ditur se në orët e para të ditës kishte rezistencë nga ana e disa banorëve për t’u evakuuar, por për shkak të intensitetit dhe kohëzgjatjes së reshjeve, autoritetet ndërhynë duke larguar 180 persona nga banesat e rrezikuara.
Ajo theksoi se të dyja kavalishencat mbeten të hapura dhe në gatishmëri për të pritur çdo qytetar tjetër që mund të ketë nevojë për strehim të përkohshëm.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



