Rama flet për AI në shëndetësi, Onkologjiku ‘ulëret’ nga kriza
Ndërsa Spitali Onkologjik vijon të jetë në qendër të kritikave për kushte skandaloze, mungesë barnash dhe shërbime larg standardeve minimale, kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të flasë për të ardhmen digjitale të shëndetësisë. Nga ambientet e QSUT “Nënë Tereza”, ai prezantoi një vizion modern, ku inteligjenca artificiale pritet të futet sa më shpejt në procesin e trajtimit të pacientëve, si pjesë e një transformimi më të gjerë të sistemit.
Sipas kryeministrit, buxheti parashikon rimbursimin e 400 pacientëve, rritje pagash dhe indeksim mbi bazën e vjetërsisë në punë për mjekët dhe infermierët. Por në një realitet ku shumë profesionistë shëndetësorë po largohen nga vendi dhe pacientët përballen me mungesa elementare, premtimi për AI tingëllon më shumë si një hap tallës gjigant drejt së ardhmes, ndërsa e tashmja mbetet e pazgjidhur.
“Ta fusim sa më shpejt AI në trajtimin e pacientëve”, deklaroi Rama, duke theksuar se cilësia e shërbimit do të rritet edhe vitin e ardhshëm. Ironia qëndron në faktin se, për shumë pacientë, sfida kryesore nuk është teknologjia e avancuar, por sigurimi i ilaçeve bazë, prania e mjekëve në shërbim dhe një trajtim dinjitoz.
Ndërkohë që vizioni digjital prezantohet me optimizëm dhe fjalor modern, realiteti spitalor kërkon zgjidhje urgjente këtu dhe tani më shumë barna, më shumë personel dhe më shumë përgjegjësi para se të kërkojë algoritme inteligjente.
Rama duket se po ndjek të njëjtën linjë konfuzioni si ministrja e Shëndetësisë Evis Sala gjatë fjalimit të saj të parë në detyrë.
“Nuk është e vështirë, është e shumë vështirë, por nuk është aq e vështirë. Asgjë nuk është e pamundur, çdo gjë është e mundur, derisa bëhet e pamundur. Duhet të bëjmë të mundur gjithçka që të pamundurën ta bëjmë të mundur…”, u shpreh ministrja.
Në një sektor të mbingarkuar nga probleme reale dhe kriza të përditshme, fjalori i paqartë dhe retorika boshe rrezikojnë të thellojnë më tej hendekun mes propagandës politike dhe nevojave reale të pacientëve tek Onkologjiku.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



