U kërcënua me jetë, gazetari: Si të hesht kur pacientët vuajnë?
Gazetari Osman Stafa ka reaguar ashpër pas kërcënimeve me jetë që thotë se ka marrë, lidhur me denoncimet e tij të vazhdueshme për situatën alarmante në spitalin Onkologjik.
Stafa tha se çdo ditë qëndron pranë pacientëve të kësaj strukture, ku sipas tij, njerëzit përballen me shërbim të cunguar, mungesë medikamentesh jetike dhe një realitet që po rrezikon jetët e tyre.
“Takoj dhjetëra pacientë çdo ditë. Ankesat e tyre janë ulëritëse. Mungojnë medikamentet, mungon shërbimi. Kjo prek drejtpërdrejt rekuperimin e tyre nga tumori,” – tha Stafa në “News 24”.
Ai zbuloi edhe një detaj tronditës, të cilin e lidh me kërcënimet e fundit:
“Në Onkologjik ka 50 poltrona të reja ku pacientët mund të kryejnë kimioterapinë. Por këto nuk përdoren, sepse pritet të përurohen nga kryeministri. Si të hesht kur pacientët vuajnë dhe pajisjet rrinë në magazinë?”
Gazetari theksoi se edhe pse është kërcënuar, nuk do të tërhiqet nga raportimet:
“Nuk do ndaloj së denoncuari atë që po ndodh. Këto problematika kanë sjellë drama të mëdha, familje që kanë humbur njerëzit e tyre për shkak të shërbimit të munguar. Heshtja do të ishte bashkëfajësi.”
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



