E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Rama “i bën golin” ndërkombëtarëve për Vlora Hysenin
Lajme

Rama “i bën golin” ndërkombëtarëve për Vlora Hysenin

“Më dhanë referenca të shkëlqyera”

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas kërkesave të opozitës për të dhënë shpjegime mbi mënyrën se si Vlora Hyseni u emërua në krye të Shërbimit Informativ të Shtetit.

Në një deklaratë nga aeroporti “Nënë Tereza”, Rama tha se vendimi për emërimin e Hysenit ishte marrë edhe duke u bazuar në vlerësimet dhe referencat që, sipas tij, ajo kishte marrë nga partnerët ndërkombëtarë.

Kryeministri deklaroi se e kishte vlerësuar më herët punën e Hysenit, e cila fillimisht kishte shërbyer pranë tij si këshilltare për çështjet e sigurisë. Më pas, sipas Ramës, ajo u vendos në krye të SHISH-it, duke marrë në konsideratë edhe vlerësimet pozitive që kishte marrë nga partnerët e huaj.

Rama tha se përpara emërimit në postin e drejtueses së SHISH-it, Hyseni ishte konsideruar nga partnerët ndërkombëtarë si një profesioniste me vlerësime të larta.

“Vlora Hyseni ka hyrë në një borxh të madh moral me këtë vend”, deklaroi kryeministri.

Rama: Masa ndaj ish-drejtoreshës së SHISH ishte ekstreme

Duke iu referuar zhvillimeve të fundit dhe masës së sigurisë të vendosur ndaj ish-drejtoreshës së SHISH, Rama tha se situata kërkon një adresim të menjëhershëm për shkak të rëndësisë që ka institucioni i sigurisë kombëtare.

Nga Rinasi, kryeministri e cilësoi masën e marrë ndaj Hysenit si “ekstreme”, por njëkohësisht theksoi se çdo dyshim dhe akuzë duhet të trajtohet vetëm përmes procedurave të drejtësisë.

“Zhvillimet e ditëve të fundit pas arrestit të ish-drejtueses së SHISH kërkojnë një adresim të menjëhershëm. Ishte një masë ekstreme, po të mbajmë parasysh se bëhet fjalë për ekspozimin e një institucioni kyç”, tha Rama.

Ai nënvizoi se hetimi duhet të vijojë deri në fund dhe se përgjegjësia penale duhet të përcaktohet nga gjykata.

“Çdo dyshim i arsyeshëm duhet të hetohet deri në fund. Çdo akuzë duhet të provohet ose të rrëzohet. Çdo masë kufizimi e lirisë nga organi i akuzës, për cilindo që nuk ka imunitet, kundërshtohet vetëm në gjykatë dhe jo në podiumin e Kryeministrit”, deklaroi ai.

Rama: Pavarësia e drejtësisë nuk do të thotë heshtje

Kryeministri u shpreh gjithashtu se qëndrimi i tij ndaj çështjeve që lidhen me drejtësinë mbetet i njëjtë, duke argumentuar se respektimi i pavarësisë së institucioneve të drejtësisë nuk përjashton diskutimin për çështje që kanë ndikim mbi interesin shtetëror.

“Këto piketa të vijës së sjelljes time ndaj çështjeve individuale të drejtësisë kanë qenë dhe mbeten kështu, për të gjithë. Respekti për pavarësinë e drejtësisë nuk do të thotë heshtje”, u shpreh Rama.

Ai tha se çështja e ish-drejtores së SHISH duhet të trajtohet si një procedurë individuale mes saj dhe organeve të drejtësisë.

Sipas kryeministrit, institucionet duhet të ushtrojnë secili kompetencat e veta: prokuroria të hetojë, gjykata të gjykojë dhe media të informojë publikun, pa e zëvendësuar vendimin gjyqësor me një shpallje paraprake faji.

“Prokuroria ka të drejtën dhe detyrën të hetojë, gjykata të gjykojë, media të zbulojë dhe informojë, por askush s’ka të drejtë ta shpallë tjetrin fajtor dhe ta dehumanizojë”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se pavarësia e drejtësisë duhet të shoqërohet edhe me respektimin e parimeve kushtetuese dhe të të drejtave të personave që janë nën hetim.

“Shteti ligjor ndërtohet me kurajën për të hetuar të fuqishmin dhe sigurinë për të mbrojtur të drejtat e njeriut që heton”, u shpreh ai.

Në përfundim, Rama deklaroi se, për sa i përket përgjegjësisë individuale të një zyrtari që përballet me drejtësinë, nuk kishte më shumë për të shtuar.

“Për sa më takon, kur një zyrtar i lartë i ka hapur vetes një llogari me drejtësinë, edhe kjo e ish-drejtueses së SHISH, është një çështje individuale mes saj dhe organeve të drejtësisë. Nuk kam asgjë tjetër për të shtuar”, tha Rama.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.