Rama ka dhimbje personale për shokët e burgosur: S’na vjen mirë kur dikush që ishte mes nesh ndodhet në duart e drejtësisë
Në një takim me kandidatët për deputetë të PS në qarkun e Durrësit, kryeministri Edi Rama ka theksuar rëndësinë e fitores së Partisë Socialiste në zgjedhjet e 11 majit, duke lidhur rezultatin me procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Rama theksoi se për Shqipërinë, ky është një moment kyç, pasi mundësia e anëtarësimit mund të shuhet po të ketë lëkundje në vullnetin politik të popullit shqiptar.
Ai u shpreh se, edhe pse qasja e BE për zgjerimin është përmirësuar, asgjë nuk është e sigurt dhe derën e mundshme për anëtarësim mund ta shohim të mbyllet sërish duke marrë në konsideratë faktorë të jashtëm.
“Siç ka ndryshuar pozitivisht qasja e BE për zgjerimin mund të ndryshojë edhe negativisht. Ata mund të fillojnë sërish atë historinë “business as usual”. Në këtë moment dera është e hapur dhe ne duhet të shpejtojmë për t’u futur para se të mbyllet prapë. Ne nuk e dimë si do jetë impakti i mbylljes së luftës në Ukrainë. Ne jemi forca e vetme sot që mund ta çojë përpara këtë proces. Mund të ketë 1000 gjëra që mund të mos i pëlqehen, por kjo parti është në vendin dhe kohën e duhur dhe nuk lëviz dot. Ka rëndësi a shprehet vullneti i popullit në mënyrë të fuqishme apo krijohet një lëkundje. Një lëkundje na prish gjithë procesin e negociatave. Shpresa ime është që në 12 dhe 13 maj do të bëjmë numërimin e votave dhe ata që merren me negociatat me BE nuk do të kenë asnjë lloj shqetësimi”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama ka komentuar zhvillimet e fundit lidhur me drejtësinë dhe luftën kundër korrupsionit, duke theksuar se qytetarët duhet të jenë krenarë për hapjen e procesit dhe për angazhimin që ka ndërmarrë qeveria për të sjellë përpara drejtësisë ata që janë përgjegjës për veprime të paligjshme.
Rama tha se, megjithatë, për shumë njerëz është e dhimbshme të shohin dikë që deri dje ka qenë pjesë e shoqërisë dhe sot është në duar të drejtësisë. Ai shpjegoi se këto ndodhin pasi është hapur një proces që deri më parë ishte i pamundur, ku ato që nuk mund të ndodhnin më parë janë bërë realitet.
“Ne duhet të jemi krenarë, jo kokulur, për faktin, që përtej dhimbjes personale për arsye njerëzore se nuk na vjen mirë të shohim dikë që deri dje ka qenë mes nesh, ndërsa sot është në duart e drejtësisë. Por ama nuk ndodhte kjo kurrë nëse nuk do e kishim hapur ne këtë kapak,” tha Rama.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



