Rama kujtohet më në fund që të mbledh Komitetin e Emergjencave
Situata e përmbytjeve në disa zona të vendit vijon të jetë shqetësuese, ndërsa institucionet shtetërore kanë shtuar angazhimin për menaxhimin e emergjencës.
Mësohet se nesër në orën 08:30 do të mblidhet Komiteti i Emergjencave, nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama. Në këtë takim pritet të bëhet një vlerësim i detajuar i gjendjes në terren, si dhe të përcaktohen masat shtesë që duhet të ndërmerren për përballimin e situatës. Në fokus të diskutimeve do të jenë edhe dëmshpërblimet për qytetarët e prekur nga përmbytjet.
Ndërkohë, Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka urdhëruar sot evakuimin e menjëhershëm të banorëve të Novoselës, për shkak të rrezikut të lartë nga dalja e ujërave. Evakuime janë raportuar gjithashtu edhe në disa zona të qarkut të Durrësit, ku situata paraqitet e rënduar.
Sipas të dhënave nga Ministria e Mbrojtjes, qarqet më problematike mbeten Shkodra, Lezha, Durrësi, Fieri, Berati dhe Gjirokastra. Fatkeqësisht, në Durrës është shënuar edhe viktima e parë si pasojë e përmbytjeve.
Në qytetin bregdetar, 250 persona janë strehuar në Shtëpinë e Pushimit të Forcave të Armatosura, ndërsa 55 persona të tjerë janë akomoduar në Kavalishencën e Ministrisë së Brendshme. Gjatë paradites, lumi Erzen ka dalë nga shtrati, duke përmbytur disa zona përreth.
Gjendja mbetet kritike edhe në Vlorë, ku niveli i lumit Vjosë në zonën e Novoselës ka kaluar mbi 9 metra. Janë evakuuar 13 familje në afërsi të Urës së Mifolit dhe në zonën e Novoselës. Në operacionet në terren janë angazhuar rreth 150 efektivë të Forcave të Armatosura, më shumë se 20 mjete të rënda, 10 gomone shpëtimi si dhe 15 pompa thithëse për largimin e ujit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



