Rama mashtron hapur për Rrjollin dhe mbron Bashkim Ulajn nga Thethi
Kryeministri deklaroi se banorët nuk i janë drejtuar SPAK-ut dhe gjykatave për konfliktin e pronësisë në Rrjoll, ndërsa dokumentet tregojnë se kallëzimet janë depozituar prej muajsh.
Gjatë takimit me banorët e Thethit, kryeministri Edi Rama u ndal edhe te konflikti për pronat në zonën e Rrjollit, duke mbrojtur projektin që po zhvillohet nga kompania “Gener 2”, e lidhur me biznesmenin Bashkim Ulaj.
Në përpjekje për të krahasuar situatën në Theth me atë të Rrjollit, Rama deklaroi se pretendimet e banorëve nuk qëndrojnë dhe se, nëse ata do të ishin pronarët e ligjshëm të tokës, do t’i ishin drejtuar gjykatës ose SPAK-ut.
“Po hajde shiheni dosjen e Rrjollit. Pse nuk shkojnë në gjykatë ata? Në qoftë se Rrjolli është një leje e dhënë një oligarku në tokën e të tjerëve, të tjerët që kanë tokën mund të çohen dhe ta bllokojnë menjëherë në gjykatë. Pse nuk e çojnë në Prokurori? Pse nuk e çojnë Rrjollin ata në SPAK? Ta çojnë në SPAK dhe le të provojnë që janë pronarët. Dosja e Rrjollit ka të gjithë pronarët brenda, ka të gjitha marrëveshjet, shitjet dhe blerjet. Kush pretendon se është pronar duhet ta provojë me dokumente”, deklaroi Rama.
Megjithatë, deklarata e kryeministrit bie ndesh me zhvillimet që kanë shoqëruar prej muajsh këtë konflikt.
Banorët e zonës së Baks-Rrjollit kanë depozituar kallëzime penale në SPAK, duke ngritur akuza për shpërdorim detyre, korrupsion, falsifikim dokumentesh zyrtare e kadastrale dhe përfitim të paligjshëm të pasurisë. Ata kanë kërkuar gjithashtu pezullimin e punimeve të kompanisë “Gener 2” dhe largimin e forcave të policisë nga zona deri në zgjidhjen përfundimtare të konfliktit të pronësisë.
Në muajin mars, SPAK konfirmoi zyrtarisht se, pas verifikimit paraprak, kishte shpallur mungesën e kompetencës dhe materialet kallëzuese i kishte përcjellë për hetim Prokurorisë së Shkodrës, ku çështja vijon të jetë në shqyrtim.
Në qendër të konfliktit ndodhet një sipërfaqe prej rreth 150 hektarësh, për të cilën kompania “Gener 2” pretendon pronësinë mbi bazën e dokumentacionit kadastral të përfituar përmes blerjes nga shtetasi Fatmir Shpellzaj. Nga ana tjetër, banorët pretendojnë se toka u përket atyre dhe se pronësia është tjetërsuar përmes dokumenteve të falsifikuara.
Ndërkohë, përplasjet në terren kanë qenë të vazhdueshme. Banorët kanë akuzuar policinë se ka ndërhyrë në mbështetje të kompanisë gjatë zhvillimit të punimeve, ndërsa autoritetet kanë vijuar zbatimin e masave për garantimin e rendit.
Deklaratat e kryeministrit në Theth kanë rikthyer sërish në vëmendje një nga konfliktet më të debatueshme të pronësisë në veri të vendit, ndërsa proceset gjyqësore dhe hetimet për dosjen e Rrjollit vijojnë ende pa një zgjidhje përfundimtare.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



