Rama kujton kohën e komunizmit në ‘Giro d’Italia’ : Ishim si Koreja e Veriut!
Kryeministri Edi Rama mori pjesë në një ceremoni të veçantë në Romë, ku u prezantua edicioni i ri i Giro d’Italia, një prej ngjarjeve më të rëndësishme të ciklizmit në botë. Shqipëria do të jetë vendi ku do të nisë ky event prestigjioz, duke e bërë atë një moment të paharrueshëm për sportin dhe turizmin në vend.
Në fjalën e tij, Rama bëri batuta të ndryshme dhe tha se ndihej i veçantë, pasi ishte i vetmi që di të ngasë vetëm biçikletë dhe nuk është i aftë të drejtojë makinë ose mjet tjetër transporti. “Ndihem këtu pak i veçantë, sepse mendoj se jam i vetmi në këtë sallë që vozit vetëm biçikletën. Nuk di të ec me makinë apo një mjet tjetër, jam 100% green,” deklaroi ai.
Kryeministri gjithashtu kujtoi vitet e izolimit të Shqipërisë dhe ndikimin që ka pasur sporti italian në shpërthimin e kufizimeve të atyre viteve. Ai theksoi se, për ata që jetonin në izolim, sporti italian ofronte një dritare për të parë botën tjetër përtej detit, një simbol i mundësive që ishin të padukshme deri atëherë.
“Sporti italian ka një influencë të veçantë te ne, jo si sport, por si një jetë tjetër. Sepse ne kemi qenë komplet të izoluar. Shqipëria ka qenë si Koreja e Veriut e Europës. Deti ishte bosh, nuk mund të lëvizte askush. E vetmja mënyrë për të parë botën tjetër ishte radio ose televizioni,” tha Rama, duke shtuar se pas ndihmës që ofronte sporti italian, ata ishin gjithmonë të vetëdijshëm se pas detit fshihej një jetë tjetër, një mundësi tjetër.
Ai përmendi gjithashtu emocionet që ndien duke parë Shqipërinë të përfshirë në një ngjarje të tillë, duke thënë se ky moment i dukej si një fabul që tani po bëhej realitet. “Të jem sot këtu, me të gjithë ju, për të festuar një moment si ky, duke e parë Shqipërinë të përfshirë, duket si një fabul,” përfundoi ai.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



