Rama, mjeshtri i befasisë
Në politikën shqiptare ka një rregull të pashkruar: çdo gjë që duket e sigurt, bie në ujë sapo vendos Edi Rama. Kryeministri është i paparashikueshëm jo sepse i mungon strategjia, por sepse e ka kthyer surprizën në strategji.
Në një kohë kur emrat e ministrave të rinj po qarkullojnë me ngulm në korridore e redaksi, Rama duket sikur i shikon të gjithë si gurë shahu që i lëviz sipas humorit të ditës. Një ditë e kthen një ministër të dorëhequr në hero kombëtar, ditën tjetër e shfaq në skenë një emër që askush nuk e kishte imagjinuar.
Shahu i Brendshëm
Në Ministrinë e Brendshme mund të ndodhë gjithçka. Katër emra janë përfolur, por zgjedhja e Ramës mund të mos jetë asnjëri prej tyre. Shpesh ai ka treguar se kënaqet duke u hequr gazetarëve listën e gatshme nga dora, për të sjellë në skenë “njeriun surprizë” që e lë publikun me gojë hapur.
Balluku as në tokë, as në qiell
Belinda Balluku është kthyer në një enigmë më vete. A do të ngjitet në krye të Parlamentit? A do të mbetet “megaministre”? Apo thjesht do ta shohim në një rol krejt të ri? Me Ramën, çdo version është i mundur madje edhe ai që askush nuk guxon ta përmendë publikisht.
Gratë në pushtet, burrat në hije
Një gjë është e dukshme: kabineti i katërt do të ketë më shumë gra se kurrë. Rama i ka kthyer ministrat femra në kartëvizitën e tij ndërkombëtare. Por edhe këtu fshihet një kontrast: përtej “feminizmit të fasadës”, vendimet e mëdha vazhdojnë të kalojnë nga një dorë e vetme e tija.
Shaka të hidhura politike
Më papritura do të ishte emërimi i një opozitari të butë në një post kyç. Rama e di se politika është edhe teatër, edhe ironi ndaj nuk përjashtohet një lëvizje që do të ndezë rrjetet sociale dhe do të bëjë opozitën të humbasë toruan, fjala bie Grida Dumën ministre. 
Kabineti i ri i Ramës nuk është ende një listë, është një skenar. Dhe si çdo skenar i Ramës, ai shkruhet ditën e fundit, në zyrën e tij, me laps e me humorin e orës. Prandaj, për ata që përpiqen ta parashikojnë, një gjë është e sigurt: e vetmja pritshmëri që nuk zhgënjen është paparashikueshmëria.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



