Rama ‘mpreh shpatën’, shkurton fondet për SPAK-un dhe KLGJ-në
Qeveria shqiptare ka ndërmarrë një rishikim të buxhetit dy muaj para përfundimit të vitit, duke bërë ndryshime në shpërndarjen e fondeve mes institucioneve. Përmes një akti normativ të miratuar nga Këshilli i Ministrave, është bërë rishpërndarja e të ardhurave dhe shpenzimeve brenda të njëjtit kuadër buxhetor, pa prekur shifrat totale të planifikuara për vitin 2025.
Të ardhurat buxhetore mbeten në nivelin e 770.140 milionë lekëve, ndërsa shpenzimet vijojnë të jenë 831.784 milionë lekë. Po ashtu, deficiti buxhetor nuk pëson ndryshime dhe mbetet në vlerën prej 61.644 milionë lekësh.
Ndryshimet më të ndjeshme vërehen në alokimin e fondeve për disa institucione të drejtësisë, ku një pjesë e tyre përballen me ulje të buxhetit të planifikuar.
Institucionet që preken nga reduktimet
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) përfiton më pak fonde krahasuar me buxhetin fillestar. Buxheti i saj ulet nga 23.49 milionë euro në rreth 18.8 milionë euro, një reduktim prej afërsisht 4.8 milionë eurosh.
Gjithashtu, Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) përballet me një shkurtim prej rreth 4 milionë eurosh. Prokuroria e Përgjithshme do të ketë gjithashtu më pak mbështetje financiare, me një ulje rreth 1 milion euro.
Në të kundërt, Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) është ndër të paktët institucione në sektorin e drejtësisë që përfiton një rritje të lehtë, me një shtesë prej afro 200 mijë eurosh.
Konteksti dhe sfidat për institucionet e drejtësisë
Reduktimi i fondeve vjen në një kohë kur institucionet e drejtësisë kanë ngritur vazhdimisht shqetësimin për mungesë burimesh, si në aspektin logjistik, ashtu edhe për sigurinë e stafit. SPAK në veçanti ka kërkuar vazhdimisht më shumë mbështetje për të përballuar ngarkesën e lartë të punës dhe nevojat operative që lidhen me hetimet komplekse.
Ndërkohë, vendimi për reduktimin e buxhetit ndodh në një atmosferë të tensionuar në marrëdhëniet ndërmjet qeverisë dhe disa institucioneve të drejtësisë. Kohët e fundit ka pasur reagime publike nga KLGJ pas komenteve kritike të kryeministrit ndaj disa vendimeve gjyqësore, ndërsa SPAK vijon të jetë në fokus për shkak të hetimeve që ka hapur ndaj zyrtarëve të niveleve të ndryshme.
Mësohet se një pjesë e fondeve të shkurtuara do të rialokohen për qëllime të tjera sociale, përfshirë mbështetjen për pensionistët në fund të vitit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



