Rama në SHBA: Hashim Thaçi u tradhëtua nga Joe Biden
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar nga Nju-Jorku se ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është “tradhtuar” nga Shtetet e Bashkuara, pas dënimit të tij me 25 vite burg nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Gjatë fjalës së tij në mbrëmjen gala të organizuar nga Këshilli për Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane, Rama tha se ndien mungesën e Thaçit, i cili sipas tij ka qenë gjithmonë i ftuar në këto aktivitete.
“Po vuaj mungesën e dikujt që ka qenë gjithmonë i ftuar këtu, Hashim Thaçit. Ai nuk është me ne sot këtu sepse ky vend e tradhtoi. Sepse Joe Biden, që e quajti George Washington-in e Kosovës, e tradhtoi.
Sepse edhe pse gjenerali Clark bëri më të mirën, ky vend nuk bëri më të mirën”, deklaroi Rama.
Kryeministri shqiptar shtoi se, sipas tij, Shtetet e Bashkuara mund të kishin ndërhyrë më shumë për të parandaluar procesin që çoi në gjykimin dhe dënimin e Thaçit.
“Jam i sigurt që ky vend mund të kishte bërë më shumë. Së pari duke mos lejuar që kjo farsë të niste”, u shpreh Rama.
Hashim Thaçi u dënua më 16 shtator 2026 nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë me 25 vite burg. Gjykata e shpalli përgjegjës për krime lufte, ndërsa e shpalli të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit. Vendimi është i shkallës së parë dhe mund të apelohet.
Në të njëjtin proces, Jakup Krasniqi u dënua me 25 vite burg, Kadri Veseli me 18 vite dhe Rexhep Selimi me 13 vite.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



