E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Rama nuk i ndahet gjyqtarit Habzi Balliu
Lajme

Rama nuk i ndahet gjyqtarit Habzi Balliu

Vendim skandaloz në mbrojtje të ndërtuesve


Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish këtë të hënë lidhur me rastin e gjyqtarit Habzi Balliu, i cili sipas Ramës ka vendosur pro ndërtuesve të paligjshëm, duke konsideruar si pronë legjitime një pallat pa leje të konfiskuar në mes të Tiranës.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama ka postuar pamje nga ambientet e brendshme të godinës së ASHK-së.

Rama thekson se duhet durim heroik për të nisur kontrollet ndaj gjyqtarit.

“Më në fund gjykatësi Balliu e nxorri arsyetimin e shkruar të vendimit të tij skandaloz për të marrë në mbrojtje palën përfaqësuese të një pallati të ndërtuar totalisht pa leje dhe të konfiskuar në Tiranë, ku u sistemua Agjencia Shtetërore e Kadastrës, e cila prej disa vitesh e vazhdonte punën në një objekt të vjetër e të dëmtuar seriozisht nga tërmeti.

Se si mund të angazhohen prokurorë a gjykatës të republikës në favor të ndërtuesve të paligjshëm, kjo kërkon të kesh akses në trurin e prokurore Gjelit dhe të gjykatës Balliut, por se si mund të shkruajë një gjykatës se ASHK-ja nuk ka prova që nuk mund të vazhdojë të rrijë në një godinë ku bien tavanet e muret, kjo kërkon një durim heroik në pritje që me ndihmën e të madhit Zot organet e kontrollit e të qeverisjes së gjyqësorit të zgjohen nga gjumi i tyre, i cili po bëhet gjithnjë e më i rrezikshëm edhe për fatet e vetë Reformës në Drejtësi.

Në foto keni (mos)arsyetimin e gjykatës Balliut si edhe situatën e godinës së vjetër të ASHK-së, e cila mesa duket për Balliun është një vend normal pune për sa kohë nuk ka viktima”,-shkruan Rama.

Gazetari Gjergj Erebara ka komentuar sulmin e sotëm të Edi Ramës ndaj gjyqtarit Hazbi Balliu që rrëzoi një urdhër qeveritar për vënien nën sekuestro të një pallati.

Erebara shkruan në faqen e tij në Facebook, se Kryetari i Këshillit Shkencor (i referohet Ramës) me reagimin e tij na tregon, se ka nevojë për njohuri elementare, e jo njohuri prej juristi.

‘Nuk e kuptoj sistemin logjik të kryeministrit.

Kadastrës i është dëmtuar ndërtesa nga tërmeti (besoj e ka fjalën për atë të vitit 2019). Zyrat e kadastrës nuk qenkan riparuar pas tërmetit për gjashtë vjet me radhë, (më lejoni t’ju kujtoj se jemi në vitin 2025).

Taksapaguesit (shqiptarë dhe evropianë) kanë shpenzuar mbi një miliardë euro për të rindërtuar objektet e dëmtuara nga tërmeti e megjithatë, zyra e kadastrës, qenka akoma e pariparuar.

Tani kadastra pretendon të marrë një pallat për të cilin Rama thotë se është ‘totalisht pa leje’, a thua se pallati është një objekt i padukshëm që shfaqet papritur. Pastaj ngatërron konceptin ligjor të konfiskimit me atë të sekuestrimit.

Sepse, nëse pallati në fjalë do të ishte ‘konfiskuar’, siç shprehet kryetari i këshillit shkencor, atëherë prona do ishte regjistruar nën pronësinë shtetërore dhe askush nuk mund të ngrinte pretendime.

Kështu që gjasat janë që pallati është nën sekuestro dhe jo ‘i konfiskuar’.

Mendoj që kryetari i këshillit shkencor ka nevojë urgjente për njohuri elementare jo prej juristi’, shkruan Gjergj Erebara në Facebook.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.