Rama nxjerr jashtë forumeve të PS-së Spiropalin dhe Ndrecën, por nuk i përjashton nga partia
Zhvillimet në Partinë Socialiste pas Asamblesë Kombëtare kanë marrë një tjetër drejtim. Pas deklaratave kontradiktore që pasuan mbledhjen, sekretari i përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, ka sqaruar se Elisa Spiropali dhe Plarent Ndreca nuk do të jenë më pjesë e forumeve të partisë.
Kështu, kërkesa e Edi Ramës për largimin e dy figurave nga strukturat drejtuese të PS-së është konfirmuar, edhe pse në Asamble nuk u zhvillua një votim formal për përjashtimin e tyre.
Fillimisht, Klosi deklaroi për mediat se Spiropali vijonte të ishte anëtare e Partisë Socialiste, duke krijuar paqartësi në lidhje me fatin e saj politik dhe vendimin e kërkuar nga kryeministri.
Por në një reagim të mëvonshëm, ai bëri dallimin mes anëtarësisë në parti dhe pjesëmarrjes në forumet e saj, duke theksuar se Spiropali dhe Ndreca nuk do të kenë më funksione në këto struktura.
“Po, Elisa Spiropali dhe Plarent Ndreca nuk mund të jenë më pjesë e asnjë forumi të partisë. Por në një parti ku cilido aplikon online dhe bëhet anëtar, nuk ka sens përjashtimi edhe nga partia”, deklaroi Klosi.
Ai hodhi poshtë pretendimet se kishte pasur paqartësi në vendimmarrje dhe shpjegoi edhe arsyen pse çështja nuk u hodh në votim gjatë Asamblesë.
Sipas tij, tre anëtarë të pranishëm kundërshtuan parimisht përjashtimin dhe u shprehën lirshëm për këtë çështje. Klosi e cilësoi këtë si një debat të brendshëm, ndërsa akuzoi se interpretimet e mëvonshme në media kishin krijuar një lajm të rremë.
Gjatë mbledhjes, Fatmir Xhafaj, Erion Braçe dhe Pandeli Majko kundërshtuan largimin e Spiropalit, duke argumentuar se mosmarrëveshjet brenda Partisë Socialiste duhet të zgjidhen përmes debatit dhe jo përjashtimeve.
Megjithatë, pavarësisht kundërshtimeve, qëndrimi i bërë publik nga Klosi është se Spiropali dhe Ndreca nuk do të jenë më pjesë e forumeve të PS-së, por do të ruajnë statusin e anëtarëve të partisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



