Rama u tregon ‘kufirin’ krerëve të Europës!
Kryeministri Edi Rama ishte të martën pjesë e Samitit të Zgjerimit të BE-së, një platformë e përhershme ku diskutohet për ecurinë e vendeve që synojnë anëtarësimin.
Në fjalën e tij, Rama paralajmëroi se Europa “po luan me zjarrin”, duke mbajtur ende jashtë dyerve vendet e Ballkanit Perëndimor.
Ai vuri në dukje se muajt e fundit procesi i zgjerimit ka marrë një ritëm të ri, të cilin ia atribuoi kryesisht angazhimit të komisioneres për Zgjerimin, Marta Kos.
Sipas tij, puna e saj ka sjellë energji të re dhe rezultate të prekshme, në një moment kur ai vetë kishte humbur besimin se Brukseli mund të ringjallej.
Rama theksoi se rruga e Shqipërisë drejt BE-së ka qenë e mundimshme, e mbushur me paragjykime dhe stereotipe të amplifikuara sidomos nga media perëndimore.
Ai pranoi se BE nuk ka qenë gjithmonë konsekuente me premtimet ndaj Shqipërisë, por e konsideroi këtë edhe një motivim shtesë: “Nuk u ndalëm. Reformat i bëmë sepse ishin të nevojshme për vendin tonë, jo për të kënaqur Brukselin,” theksoi kryeministri.
Sipas tij, BE mbetet pikë reference dhe burim i rëndësishëm dijeje, ndërsa Shqipëria po përgatitet që të jetë gati në momentin që hapet mundësia e anëtarësimit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



