E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Rama vendos: Resorte mbi ullishtet dhe pemëtoret
Lajme

Rama vendos: Resorte mbi ullishtet dhe pemëtoret

Vendimi i qeverisë që legalizon tjetërsimin e gjelbërimit në jug

Më 28 gusht 2025, Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit (KKTU), nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama dhe me firmat e 9 ministrave, miratoi Vendimin Nr. 1, i cili i hap rrugë ndërtimit të resorteve dhe strukturave turistike mbi pasuri të regjistruara si “ullishte” dhe “pemëtore”.

Ky vendim, i marrë mes pushimeve verore dhe larg vëmendjes publike, shihet si një akt që thjeshton procedurat ligjore deri në minimum dhe që në praktikë legalizon tjetërsimin e pasurive bujqësore në favor të ndërtuesve.

Zonat që preken: nga Vlora në Sarandë

Vendimi prek të gjithë bregdetin jugor:

  • Vlora, Radhima, Orikumi – zona të mbushura me ullinj buzë detit;
  • Palasa, Dhërmi, Vuno, Himarë – plantacione tradicionale ulliri të rrezikuara nga ndërtimet;
  • Qeparo, Borsh, Lukovë – hapësira të mëdha pemëtoresh që tashmë janë në shënjestrën e projekteve turistike;
  • deri në Sarandë, ku zhvilluesit kanë kohë që shfaqin interes për resortet.

Nëse deri dje marrja e lejeve për ndërtim në këto pasuri ishte thuajse e pamundur, me vendimin e ri, procedura thjeshtohet në nivel deklaratash dhe procesverbalesh të topografëve dhe agronomëve.

Çfarë parashikon vendimi?

Në dokument theksohet se:

  • Për pasuri të regjistruara si “pemëtore” apo “ullishte”, mjafton një procesverbal i gjendjes faktike që vërteton mungesën e pemëve.
  • Procesverbali nënshkruhet nga topografi (që konfirmon përputhjen e pasurisë me dokumentin e pronësisë) dhe agronomi (që deklaron nëse ka apo jo drufrutorë).
  • Pronari i tokës dhe zhvilluesi japin një deklaratë noteriale për vërtetësinë e dokumentacionit.
  • Për sipërfaqe deri në 0.1 ha, verifikimi kryhet brenda 5 ditëve nga agronomi i njësisë vendore.
  • Për sipërfaqe më të mëdha, duhen dy agronomë: një nga njësia vendore dhe një nga Ministria e Bujqësisë.
  • Pas këtij hapi, Sekretariati Teknik i KKTU vijon me procedurat për dhënien e lejes së zhvillimit ose ndërtimit.

Pra, në praktikë, një firmë topografi + një agronom mjaftojnë për të hapur rrugën e një resorti mbi një ullishte.

Tjetërsimi i natyrës nën emrin e “zhvillimit”

Ky vendim vjen në një kohë kur ndërtuesit kanë përdorur më parë skema të ngjashme për të pastruar terrenet:

  • Djegia e zonave të gjelbëruara për të zhdukur ullinjtë dhe pyjet;
  • Prerja e pemëve nga banorë vendas, shpesh me stimuj financiarë;
  • më pas, paraqitja e dokumenteve “zyrtare” që vërtetojnë se pasuria nuk ka më gjelbërim.

Kjo ka ndodhur më parë në Gjirin e Lalzit, Farkë dhe Kodrën e Diellit në Tiranë, ku ullinjtë u prenë për t’u hapur rrugë kullave dhe komplekseve.

Një tjetër “amnisti ndërtimi” për oligarkët

Vendimi i 28 gushtit 2025, i nënshkruar nga Rama dhe 9 ministra, nuk është një akt burokratik i zakonshëm. Ai shihet si një amnisti e heshtur për oligarkët e ndërtimit, që tashmë kanë në shënjestër bregdetin jugor.

Në vend që të mbrojë trashëgiminë bujqësore dhe natyrore – ullishtet shekullore dhe pemëtoret që janë pjesë e identitetit kulturor – qeveria ka zgjedhur t’i legalizojë prerjet dhe betonizimin, duke i kthyer në “resorte” ato që deri dje ishin pasuri bujqësore.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.