“Ramën e solli krimi në pushtet, ai i ktheu në biznesmenë”
Gazetari investigativ Artan Hoxha ka folur në një intervistë për “Syri Tv” lidhur me qeverinë, kryeministrin Edi Rama dhe lidhjet e tij me krimin. Sipas Hoxhës, krimi e solli Ramën në pushtet dhe më pas ai i ktheu figurat kriminale në biznesmenë, përmes dhënies së tenderëve dhe përfshirjes së tyre në ekonomi.
“Duke ndjekur gjithë këtë narrativë që bëre ti, që unë e kam bërë disa herë dhe kam shpjeguar se pse Rama është sot këtu ku është. Kam pasur mundësinë dhe fatin ta shoh kur ishte në opozitë, duke ndenjur në këto qarqe me këta që u rritën mbrapa dhe unë fillova t’i gjeja, Kolumbi, Ekuador, Bolivi, në këto vende të çuditshme dhe unë i kam parë aty, i kam parë rrotull tij. Pra, ai erdhi bashkë me ta, duke bërë një marrëveshje të cilën nuk e kuptonim në moment. Por harronim dhe tjetrën, që ky njeri ka qenë shumë gjatë drejtues i bashkisë së Tiranës, që është një pol shumë i rëndësishëm fuqie në këtë vend, se njohja është e hershme e jo sot. E përdori këtë aleancë që të vinte në pushtet dhe pasi erdhi në pushtet, bëri atë që bëri”, deklaroi ai.
Hoxha përmendi edhe operacionet e para të ndërmarra nga qeveria socialiste pas ardhjes në pushtet në vitin 2013, duke i cilësuar si lëvizje për të marrë nën kontroll territore dhe aktivitete kriminale.
“Veprimet e para që bëri në 2013, kur u bë operacioni ‘Fundi i marrëzisë’ që në fakt ishte marrëzia e fundit. U mor nën kontroll biznesi i lojërave të fatit. Pastaj erdhi operacioni i dytë, i famshmi në Lazarat në 2014, u mbajt nën rrethim, e pamë betejën, pamë arsenalin e atyre brenda dhe arsenalin e shtetit. Pamë se çfarë ndodhi. U krijua një dalje dhe kokat e biznesit ikën. Na u referua që u shpërbë kjo. Që aty u pa që ai po synonte të merrte nën kontroll atë që kishin pasur të tjerët”, tha gazetari.
Ai ndaloi edhe te fenomeni i kanabizimit të vendit, veçanërisht në vitet 2015-2016, duke thënë se askush nuk fliste publikisht për këtë, përfshirë edhe diplomacinë ndërkombëtare.
“Ne e mbajmë mend se çfarë ndodhi në 2015-2016, kanabizimi i vendit. Nuk fliste askush, as nga trupi diplomatik sepse kam qenë në atë vit në 5 ambasada ku shpjegoja me tabelë se si ishte bërë. Që atëherë unë thoja që ishte kryeministrit, se nuk e bën dot një ministër. Dhe që në fillesa ne e pamë se si po funksiononte skema e Ramës e kriminalizimit të vendit”, theksoi Hoxha.
Ai foli edhe për zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 dhe përfshirjen e grupeve kriminale në fushatë dhe blerjen e votave.
“Erdhi 2017, sakrifikuam ministrin e Brendshëm duke i faturuar kanabisin dhe kaluam tek kokaina duke u hapur në kontinent dhe në kontinente të tjera. Si u fitua 2021? U fitua sepse organizatat më të mëdha kriminale të këtij vendi kanë qenë të përfshira në zgjedhjet parlamentare dhe janë aty. 2021 u mor me kokainën. Me 1 ton kokainë ti fiton jo vetëm një palë zgjedhje, por më shumë. Dhe më pas ne pamë si u ndanë koncesionet, statusi i investitorëve strategjikë dhe sot ne jemi në një situatë ku ne nuk e ndajmë dot se ku mbaron politika, ku fillon biznesi dhe ku përfshihet bota e krimit”, u shpreh Hoxha.
Në përfundim, gazetari përmendi edhe transformimin e figurave kriminale në biznesmenë përmes përfshirjes së tyre në ekonomi dhe tendera publikë.
“Më kujtohet një batutë e një nga këta të botës së krimit: Ne paskemi qenë budallenj, kujtonim se bëheshim të pasur vetëm duke shitur drogë. Ky që erdhi në pushtet na mësoi të bëheshim biznesmen. Merr tendera, ke bërë milionin e parë andej, futu këtu dhe puno këtu brenda”, tha ai.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



