Raport i Human Rights First: Rasti i Berishës mbetet ilustrim i qartë
Si përdor SHBA sanksionet sipas nenit 7031(c)
Një raport i gjerë i publikuar nga organizata ndërkombëtare Human Rights First ka hedhur dritë mbi mënyrën se si Departamenti i Shtetit i SHBA ka zbatuar nenin 7031(c) gjatë katër viteve të fundit. Ky nen i jep autoritet qeverisë amerikane të ndalojë hyrjen në SHBA të zyrtarëve të huaj dhe familjarëve të tyre, nëse ka “informacione të besueshme” për përfshirjen e tyre në korrupsion domethënës ose shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.
Të dhënat kryesore të raportit
Raporti mbulon periudhën dhjetor 2020 – dhjetor 2024 dhe sjell për herë të parë një panoramë të plotë të këtij mekanizmi:
- 486 persona janë sanksionuar gjithsej;
- 367 raste janë bërë publike, ndërsa 119 janë mbajtur konfidenciale;
- Për korrupsion, 90% e rasteve publikohen, ndërsa për shkelje të të drejtave të njeriut shpesh fshihen (vetëm 56% publikohen);
- Departamenti i Shtetit ka përdorur 61 përjashtime për “interes kombëtar”, kryesisht për persona të akuzuar për shkelje të të drejtave të njeriut;
- 10 persona të sanksionuar janë lejuar të hyjnë në SHBA vetëm për pjesëmarrje në sesione të OKB-së, për shkak të detyrimeve ndërkombëtare të Uashingtonit si vend pritës i selisë së Kombeve të Bashkuara.
Human Rights First ka ngritur shqetësime mbi praktikën e ndalimeve konfidenciale, duke theksuar se ato e bëjnë të vështirë monitorimin publik dhe kërkon nga Kongresi që të publikohen çdo vit të dhëna agregate për vendimet e tilla.
Përjashtimet dhe “interesi kombëtar”
Raporti thekson se gjatë katër viteve të fundit, pothuajse një e teta e ndalimeve të vendosura janë anuluar përmes heqjeve të pjesshme, kryesisht për arsye të lidhura me “interesin kombëtar bindës”. Këto lehtësime kanë prekur kryesisht individë të përfshirë në abuzimin e të drejtave të njeriut, jo në korrupsion.
Rasti i Sali Berishës
Në këtë kontekst, Shqipëria mbetet një nga ilustrimet më të qarta të zbatimit të nenit 7031(c). Në maj 2021, Sekretari i Shtetit Antony Blinken shpalli publikisht ish-kryeministrin Sali Berisha dhe familjen e tij të ngushtë “non grata”, duke e akuzuar për korrupsion domethënës dhe minimin e demokracisë në Shqipëri.
Ndryshe nga disa zyrtarë të huaj që kanë përfituar përjashtime për të hyrë në SHBA, qoftë për “interes kombëtar” apo për pjesëmarrje në sesione të OKB-së, Berisha nuk ka siguruar asnjë lehtësim.
Burime diplomatike konfirmojnë se Berisha ka tentuar të përdorë të njëjtën skemë si disa personalitete të tjera ndërkombëtare të sanksionuar, duke kërkuar leje të posaçme për udhëtim në OKB, por kërkesat e tij kanë dështuar.
Madje, edhe kontrata e tij e lobimit me kompaninë amerikane “Continental Strategy”, me vlerë rreth 6 milionë dollarë, nuk ka arritur të ndryshojë statusin e tij. Kjo tregon se sanksionet e bazuara në nenin 7031(c), sidomos kur shpallen publikisht, janë pothuajse të pamundura për t’u hequr dhe mbeten një mjet i fuqishëm i diplomacisë amerikane.
Ky raport i Human Rights First, i mbështetur në të dhëna zyrtare, konfirmon edhe një herë se vendimi për shpalljen “non grata” të Sali Berishës nuk është as politikisht i lëkundshëm, as i negociueshëm, por një shembull i pastër i mënyrës se si SHBA përdor këtë instrument për të dhënë mesazhe të qarta në vende ku korrupsioni dhe dobësimi i institucioneve mbeten problem kritik.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



