E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Raporti i Parlamentit Evropian: Korrupsioni, problem serioz!
Lajme

Raporti i Parlamentit Evropian: Korrupsioni, problem serioz!

Raporti përfundimtar i Parlamentit Evropian për Shqipërinë për vitin 2026 ngre shqetësime të forta mbi sundimin e ligjit, pavarësinë e gjyqësorit dhe situatën e lirisë së medias, duke evidentuar gjithashtu problematika të vazhdueshme në luftën kundër korrupsionit.

Dokumenti thekson nevojën për rezultate konkrete në hetimin dhe ndëshkimin e rasteve të korrupsionit, veçanërisht në nivele të larta, ku sipas tij mungon ende një bilanc i qëndrueshëm dënimesh përfundimtare. Raporti nënvizon se përparimet ligjore nuk janë shoqëruar me rezultate të prekshme në praktikë.

Një nga treguesit më domethënës është rënia e Shqipërisë në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International, nga vendi i 80-të në vitin 2024 në vendin e 91-të në vitin 2025, çka reflekton përkeqësim të perceptimit për nivelin e korrupsionit në vend.

Korrupsioni vijon të cilësohet si një shqetësim serioz, ndërsa kërkohet forcim i kapaciteteve të institucioneve ligjzbatuese dhe rritje e efikasitetit në hetime dhe ndjekje penale.

Në raport i kushtohet rëndësi edhe funksionimit të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), për të cilën kërkohet garantimi i pavarësisë, burimeve të mjaftueshme dhe mbështetjes së plotë në ushtrimin e kompetencave hetimore, pa ndërhyrje apo kufizime.

Në këtë kontekst, dokumenti vë theks edhe te klima politike dhe vendimmarrjet institucionale që lidhen me zyrtarë të lartë. Kujtohet rasti kur shumica parlamentare e Partisë Socialiste rrëzoi kërkesën për heqjen e imunitetit të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, të paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, duke penguar vijimin e procedurave për arrestimin e saj.

Gjithashtu, raporti kërkon intensifikimin e përpjekjeve për identifikimin, sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive me origjinë kriminale, duke e konsideruar këtë si një element kyç në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.