Raporti i Trump në OKB: Burgjet greke të mbushura me shqiptarë
Gjatë fjalimit të tij në Sesionin e 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, solli në vëmendje situatën e emigrantëve në burgjet evropiane, duke cituar të dhëna alarmante për Greqinë.
Trump deklaroi se sipas Këshillit të Evropës, 54% e të burgosurve në Greqi janë emigrantë, kryesisht shqiptarë, duke e cilësuar këtë si pasojë të “eksperimentit të dështuar të kufijve të hapur”. “Kur burgjet tuaja janë të mbushura me të ashtuquajtur azilkërkues që e shpërblejnë mirësinë me krim, është koha t’i japim fund kufijve të hapur. Duhet ta ndaloni tani,” tha ai.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Mbrojtjes së Qytetarëve në Athinë, 55% e të burgosurve në Greqi janë të huaj, duke e renditur vendin fqinj të parin në Evropë për nga përqindja e lartë e të huajve në burgje. Shumica e tyre janë shqiptarë, algjerianë, pakistanezë, turq, gjeorgjianë dhe afganë.
Statistikat tregojnë se më 31 janar 2024, në 34 burgjet e vendit ndodheshin rreth 5,520 të burgosur të huaj, ndërsa kapaciteti total është 10,775, me një mbushje prej 94.7%. Në vitet e fundit, shifrat kanë luhatur nga 89% në 2016 deri në 116% në vitin 2014, për të mbetur ende mbi kapacitetin normal.
Media greke “Protothema” shkruan se vetëm në vitin 2022 u arrestuan 57,333 shtetas grekë dhe 54,212 të huaj, ndërsa në vitin 2024 numri i grekëve të arrestuar arriti në 73,479 – një rritje prej gati 30%.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



