Deputetë dhe banorë në gjyq
Më 3 prill, kompania “Gener 2” ka depozituar katër kallëzime penale ndaj deputetëve Agron Shehaj e Erald Kapri, avokatit Ndue Pjetra dhe banorit të Rrjollit, Prekë Molla, të cilët i akuzon për shpifje dhe denigrim.
Lajmi u bë me dije përmes një deklarate për shtyp, e cila u raportua më pas nga televizioni A2 CNN, i cili është nën pronësinë e sipërmarrësit Bashkim Ulaj, njëkohësisht aksioneri kryesor i “Gener 2”.
“Theksojmë qartë se çdo përpjekje për gjobëvënie politike apo ‘mediatike’ do të marrë një përgjigje të vetme dhe të prerë: përballjen me drejtësinë”, thuhej në deklaratën e kompanisë.
Ndërsa “Gener 2” pretendon se fushata ndaj saj “me informacione të pavërteta” i ka dëmtuar imazhin, përfaqësuesit e Partisë Mundësia e konsiderojnë këtë një precedent të rrezikshëm që synon të heshtë jo vetëm aktivistët, por edhe deputetët.
Palët e tjera të kallëzuara, përfshirë avokatin mbrojtës Pjetra dhe protestuesin Molla, vlerësojnë se kjo metodë e përdorur nga “Gener 2” nuk do të funksionojë për t’i ndaluar në kërkimin e së vërtetës.
Konflikti mes banorëve të Rrjollit dhe kompanisë “Gener 2” ka nisur prej më shumë se një viti, pasi kompania ka filluar ndërtimin e resortit turistik “Blue Borgo”. Protestuesit pretendojnë se ndërtimi po kryhet mbi tokat e tyre, të cilat, ata thonë se janë përvetësuar përmes dokumenteve të falsifikuara.
“Shpifja, si instrument ndaj akuzave për korrupsion”
Në një koment për Citizens.al, kryetari i partisë Mundësia, Agron Shehaj, tha se Bashkim Ulaj gëzon mbështetjen e mazhorancës, jo vetëm për çështjen e Rrjollit, por edhe për projekte të tjera.
Ai kujtoi rastin e tenderit Thumanë-Kashar, ku ish-zv.kryeministrja Belinda Balluku ka përdorur shprehjen “po i bëjmë nderin e jetës”, në lidhje me dhënien e kontratës për kompaninë “Gener 2”.
Sipas tij, një pjesë e klasës politike është në mbrojtje të Ulajt, çka përforcon dyshimet për një rast tipik, “ku prona e qytetarëve të zakonshëm po përvetësohet nga aktorë me lidhje të forta politike”.
Ai shton se kallëzimet për shpifje përdoren si strategji për të zbehur denoncimet për korrupsion.
“Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste [Taulant Balla], sa herë që flas, më etiketon si shpifës dhe përmend kallëzimet për shpifje. Nuk kanë argument tjetër”, u shpreh Shehaj.
Deputeti Erald Kapri, gjithashtu përfaqësues i Mundësisë, argumentoi se vendosja nën presion e një deputeti për deklaratat publike në ushtrim të detyrës jep një sinjal të qartë për shoqërinë.
“Një veprim i tillë krijon efekt frenues ‘chilling effect’, mbi hapësirën publike: gazetarët, aktivistët dhe qytetarët e zakonshëm mund të vetë-censurohen nga frika e proceseve të gjata dhe të kushtueshme gjyqësore”, tha ai.
Në përmbyllje, ai theksoi se kallëzimi përputhet me një klimë presioni ndaj zërave kritikë dhe synon të kufizojë opozitën.
“Intimidimin nuk e njohim”
Palët e kallëzuara, avokati i banorëve të Rrjollit, Ndue Pjetra dhe protestuesi Prekë Molla, thanë se nuk do të tërhiqen nga kauza e tyre.
Avokati Pjetra e cilësoi kallëzimin “një autogol” nga ana e kompanisë, pasi sa i përket dyshimeve për falsifikim, pritet që Prokuroria e Shkodrës të kryejë aktin e ekspertimit.
“Janë caktuar dy prokurorë, dy oficerë të policisë gjyqësore dhe tre ekspertë”, shpjegoi ai duke nënkuptuar se nga ky proces pala paditëse do të dalë e humbur.
Prekë Molla, një nga protestuesit më të zëshëm të Rrjollit, u shpreh gjithashtu optimist për rezultatet e ekspertizës.
“S’e kuptoj ku qëndron shpifja, kur kam thënë se dokumentet janë të falsifikuara. Kjo është një e vërtetë që e di e gjithë Shqipëria”, theksoi ai.
Ai shtoi se punimet në terren po vijojnë me ritme të shpejta dhe se qëllimi, sipas tij, ka qenë përfundimi i ndërtimit dhe kalimi në një situatë faktike të atillë që të mos ketë kthime pas në anën juridike pas daljes së rezultateve të hetimeve.
“Punojnë çdo ditë, edhe në festa, për Pashkë, e Bajram, edhe të dielave, punojnë me qëllim që kur të dalin dokumentet, të thonë se ndërtimi ka përfunduar”, përmbylli Molla./citizens







